Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë me kërkesë zyrtare për ndalimin e “Informer”

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS) njoftoi se sot do të dorëzojë një kërkesë zyrtare pranë Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike (REM) për heqjen e lejes së transmetimit të kanalit televiziv “Informer”. Ky medium mbështet hapur Aleksandar Vuçiçin, shërben prej vitesh si kanali i tij propagandistik dhe sulmon drejtpërdrejt kundërshtarët e tij.
Kjo nismë vjen një ditë pasi demonstruesit hynë në ambientet e kanalit në Beograd dhe ndërprenë transmetimin live.
Kërkesa do të dorëzohet pasdite nga përfaqësues të organizatave qytetare, shoqatave të gazetarëve dhe katedrave të gazetarisë në universitetet e Beogradit, Novi Sadit dhe Nishit.
“Kjo iniciativë është përgjigje ndaj shkeljeve sistematike të ligjit dhe detyrimeve programore gjatë viteve – shkelje që REM deri tani nuk i ka ndëshkuar”, njoftuan nga NUNS.
Iniciativa vjen pas incidenteve që ndodhën dje para selisë së “Informer” në Beograd. Një grup demonstruesish hyri në ambientet e televizionit dhe ndërpreu transmetimin, çka çoi në përplasje me policinë, e cila u përpoq t’i largonte personat nga ndërtesa.
Ngjarjeve iu përgjigj edhe “Lista Studentore”, e cila fitoi në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ata deklaruan se nuk mbështesin hyrjet në media apo institucione dhe nuk përkrahin veprime të tilla.
“Ne do t’i çlirojmë mediat përmes Kuvendit, përmes luftës institucionale për liri dhe gazetari profesionale”, thanë studentët.
Qysh para ngjarjeve të djeshme, REM po shqyrtonte ankesat kundër “Informer”. Në fillim të tetorit u nisën dy procedura kundër kësaj televizioni, por rregullatori ende nuk ka marrë vendim përfundimtar lidhur me shkeljet e konstatuara dhe sanksionet e mundshme.
Pronari dhe kryeredaktori i “Informer”, Dragan J. Vuçiçeviç, e quajti sulmin “dhunë monstruoze” dhe pretendoi se demonstruesit u përpoqën të digjnin ndërtesën dhe ta vrisnin, por këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Ai gjithashtu akuzoi Dianën Hrka, nënën e 27-vjeçarit Stefano Hrka, i cili vdiq nga rrëzimi i një mbulesë në Novi Sad. Vuçiçeviç pretendon se Hrka e kërcënoi se do të kujdesej që fëmijët e tij të përfundonin si djali i saj. As kjo akuzë nuk është konfirmuar.



