(Video) Tallje ndaj pronarit të “Informer” në vendvotim në Serbi: Qytetarët i imituan zërat e kuajve ndërsa priste të votojë

🔴Lajmet më të fundit për zgjedhjet në Serbi ndiqini KËTU.
Dragan J. Vuçiqeviq, kryeredaktori dhe pronari i tabloidi serb “Informer”, sot në mëngjes erdhi për të votuar me bashkëshorten, por ndërsa priste në radhën e vendvotimit, disa nga të pranishmit filluan ta provokonin.
Sipas portalit serb “Nova.rs”, disa qytetarë filluan të imitonin kërcitjen e kuajve, ndërsa të tjerë të pranishëm reaguan me duartrokitje. Në video dëgjohen edhe thirrje si “Shiko sa shumë të duan njerëzit” dhe “I nisi bukur mëngjesi”.
Në incizim shihet se Vuçiqeviq tund kokën, por nuk përgjigjet ndaj provokimeve. Nga ana tjetër, “Informer” publikoi se ndaj pronarit të tyre ishin drejtuar fyerje.
Kush është Dragan J. Vuçiqeviq?
Vuçiqeviq themeloi “Informer” në vitin 2012, ndërsa më parë ka punuar në disa media serbe, përfshirë “Politika”, “Blic”, “Kurir” dhe “Pres”. Në vitin 2023 ai nisi edhe televizionin “Informer TV”.
Tabloidi njihet për mbështetjen e shprehur ndaj Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentit Aleksandar Vuçiç, si dhe për titujt sensacionalistë dhe përmbajtjet e drejtuara kundër kundërshtarëve politikë të pushtetit.
Në prill 2023, Vuçiqeviq kaloi rreth 48 orë në burg, pasi refuzoi të paguante një gjobë prej 200,000 dinarësh për postime fyes në rrjetet sociale ndaj gazetarit Jugoslav Qosiq. Ai pretendonte se bëhej fjalë për ndjekje politike dhe e paraqiste rastin si çështje të lirisë së fjalës.
U lirua nga burgu pasi bashkëshortja e tij jolegjitime pagoi gjobën.


