Shqipëria: Që nga fillimi i protestave janë plagosur 310 persona, Rama sot do të shpallë masat kundër dhunës

Që nga fillimi i protestave studentore në Tiranë, më 13 tetor, janë plagosur gjithsej 310 persona, përfshirë 191 policë, 88 protestues dhe 31 kalimtarë të rastësishëm, njoftuan autoritetet shëndetësore shqiptare.
Gjatë demonstratave të mbrëmshme, ndihmë mjekësore kërkuan shtatë persona, përfshirë një polic, një protestues të mitur, përfaqësues të mediave dhe kalimtarë të rastësishëm.
Ndërkohë, për sot është caktuar një mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në të cilën do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, dhe pritet të prezantohen masa kundër personave përgjegjës për dhunën gjatë protestave.
Sipas raportimit të "Euronews Albania", bazuar në të dhënat e autoriteteve shëndetësore të publikuara mbrëmë në orën 21:00, katër kalimtarë të rastësishëm kërkuan ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës, transmetoi "RTCG".
Njeri prej tyre, përfaqësues i një mediaje ndërkombëtare, u lirua nga spitali pas ndihmës mjekësore dhe nuk është në rrezik për jetën.
Një kalimtar tjetër la spitalin pas trajtimit, ndërsa dy të tjerët mbetën për kontrolle të mëtejshme mjekësore.
Në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ndihmë mjekësore kërkuan një polic, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i mediave. Të tre janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, që nga fillimi i protestave më 13 tetor janë plagosur gjithsej 310 persona, prej të cilëve 191 anëtarë të policisë shtetërore, 88 protestues dhe 31 kalimtarë të rastësishëm.
Ndërkohë, "Euronews Albania" njoftoi mbrëmë se për sot në orën 9:00 është caktuar një mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në ambientet e Presidencës së Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas informacionit të gazetares Exiola Shehu, në këtë mbledhje pritet të prezantohen masa kundër personave që kanë marrë pjesë në incidentet e dhunshme gjatë protestave studentore.


