Tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 godet Tibetin, të paktën 16 të vdekur

Të paktën 16 persona kanë vdekur, ndërsa 32 janë plagosur në tërmetin e fuqishëm me magnitudë 7 që goditi mbrëmë Tibetin, në Kinë. Ndër të plagosurit, 11 persona janë në gjendje të rëndë, dhe të paktën 339 shtëpi janë rrënuar.
Tërmeti ndodhi të enjten, në orën 22:33 sipas kohës lokale, në rrethin Baçing, në qytetin Nagçu, në pjesën veriore të Tibetit.
Qendra kineze e sizmiologjisë vlerësoi se epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 10 kilometrash, ndërsa Instituti Gjeologjik Amerikan (USGS) vlerësoi thellësinë në 18 kilometra.
Ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimin për të mbijetuarit dhe po ndihmojnë banorët e prekur. Policia dhe zjarrfikësit po vendosin çadra për njerëzit që mbetën pa shtëpitë e tyre pas tërmetit.
Televizioni shtetëror kinez CCTV njoftoi se ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur rajonin në pesë vitet e fundit.



