E enjte, 22 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Trump për Iranin: Nuk negociojmë, së shpejti do të ndodhë diçka

22.10.2026, 08:15

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk po negociojnë me Iranin, duke shtuar se së shpejti do të ndodhë "diçka" – megjithëse nuk sqaroi nëse nënkupton vazhdimin e veprimeve ushtarake apo një marrëveshje të mundshme.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur, sipas shkrimeve të "New York Times", përfaqësues ushtarakë amerikanë dhe izraelitë po përgatisin plane për sulme të reja ndaj Iranit pas zgjedhjeve amerikane më 3 nëntor.

"Jo, mendoj se nuk po negociojmë. Së shpejti do të ndodhë diçka, në një mënyrë apo në tjetrën", i tha Trump gazetarëve të mërkurën, pas kthimit nga një tubim parazgjedhor në Karolinën e Jugut.

"Shumica e njerëzve mendojnë se do të jetë pas zgjedhjeve – do të shohim se çfarë do të ndodhë", shtoi ai. Trump nuk sqaroi se çfarë ngjarjesh pret, as nuk paralajmëroi ndonjë veprim konkret ushtarak.

"Mund të largohemi menjëherë, por duam që kjo të zgjasë."
Më parë, gjatë tubimit parazgjedhor, Trump iu referua edhe mundësisë së përfundimit të konfliktit midis SHBA-së dhe Iranit. "Kjo do të përfundojë shumë shpejt. Mund të largohemi menjëherë, por duam të sigurohemi që të zgjasë", tha ai.

Ai pretendon se Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë mundur Iranin, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë financiar. Gjithashtu, përsëriti se nuk do të lejojë që Teherani të zhvillojë armë bërthamore.

Deklaratat e Trump vijnë pas një konflikti disa mujor dhe përpjekjeve diplomatike të dështuara për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme midis Uashingtonit dhe Teheranit.

"New York Times": SHBA dhe Izraeli po përgatisin sulme të reja
Gazeta "New York Times", duke iu referuar përfaqësuesve amerikanë dhe burimeve të tjera të njohura me bisedimet, raportoi se ushtria amerikane dhe ajo izraelite po përgatisin plane për sulme të mundshme të reja ndaj Iranit pas zgjedhjeve për Kongresin amerikan, që do të mbahen më 3 nëntor.

Sipas këtyre informacioneve, të dy ushtritë kanë zhvilluar opsione për një operacion të shkurtër, por intensiv ushtarak. Ndër objektivat potenciale janë impiantet bërthamore iraniane, infrastruktura energjetike, si dhe rezervat dhe sistemet e raketave dhe dronëve.

Forcat amerikane dhe izraelite kanë shtuar stërvitjet ushtarake si përgatitje për një operacion të mundshëm, përfshirë fluturime mbi Irak për ushtrime sulmesh.

Sidoqoftë, nuk është e sigurt nëse Trump do të miratojë sulme të reja. "New York Times" raporton se gjatë këtij viti, presidenti amerikan ka refuzuar disa herë propozimet për rifillimin e operacioneve ushtarake me përmasa të mëdha kundër Iranit.

Një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë i tha gazetës se administrata nuk komenton planet ushtarake – plane që mund të ekzistojnë, ose jo.

Trump më parë paralajmëroi se nuk do të ketë sulme para zgjedhjeve.
Më 8 tetor, Trump deklaroi publikisht se Shtetet e Bashkuara nuk do të kryejnë sulme të reja ndaj Iranit para zgjedhjeve amerikane më 3 nëntor.

Në atë kohë, ai pretendonte se Uashingtoni dhe Teherani po zhvillonin bisedime produktive. Deklarata e tij më e re – se aktualisht nuk po zhvillohen negociata – përfaqëson një ndryshim në mesazhet publike të administratës amerikane, megjithëse mbetet e paqartë nëse kontaktet diplomatike indirekte janë ndërprerë plotësisht.

Përfaqësuesit ushtarakë amerikanë dhe izraelitë vazhdojnë përgatitjet për një kthim të mundshëm në veprime luftarake intensive, por vendimi përfundimtar për sulme të mundshme varet nga Trump.

Lajme të ngjashme