(Video) Detaje të reja për aksidentin ajror në Florida: është e mundur që avioni të jetë shpërbërë ndërsa ishte ende në ajër

Hetuesit amerikanë po shqyrtojnë nëse avioni që u rrëzua në Florida të dielën filloi të shpërbëhej ndërsa ishte ende në ajër, para se të godiste tokën dhe të shpërthente. Në aksident humbën jetën të gjithë nëntë personat që ndodheshin në avion, përfshirë një sipërmarrës teknologjik dhe familjen e tij, si dhe një kopilot 20-vjeçar. Avioni i tipit "Learjet 60" po fluturonte nga Austin, Teksas, drejt Bahameve, kur u rrëzua në një rrugë 14 kilometra larg "Mar-a-Lago" – rezidencës së presidentit amerikan Donald Trump, raporton BBC.
Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB) njoftoi dje se në hetim do të shqyrtohet edhe roli i ngrirjes dhe turbulencave në aksident. Është konfirmuar se, pak pas ngritjes nga Austin, ekuipazhi njoftoi kontrollin e fluturimit se kishin hasur kushte për ngrirje dhe turbulenca të moderuara. "Po hyjmë në zonë me reshje; kërkojmë leje për ngjitje në 37,000 këmbë, nëse është e mundur", deklaruan nga ekuipazhi.
Anëtari i NTSB-së, Tom Chapman, tha se më pak se 30 sekonda më vonë, avioni filloi të humbte lartësi, dhe ekuipazhi dërgoi thirrje për ndihmë. Pastaj, komunikimi u bë i paqartë, shpjegoi Chapman. "Fatkeqësisht, askush në avion nuk mbijetoi", shtoi ai. Nga NTSB theksuan se ishin të pranishme ngrirja dhe turbulencat, por paralajmëruan se përcaktimi i shkakut të saktë është një proces i gjatë. Në kohën e aksidentit, në atë zonë ishin raportuar edhe bubullima.
Kërkim për prova kyçe
Autoritetet po përpiqen gjithashtu të përcaktojnë nëse avioni ishte i pajisur me pajisje regjistrimi të zërave në kabinën e pilotimit dhe nëse mund të nxirret nga mbetjet. Në hetim janë përfshirë Administrata Federale e Aviacionit (FAA), përfaqësues nga kompania "Learjet", meteorologë dhe analistë të kontrollit të fluturimit. Hetuesi i sigurisë në aviacion, Timothy Monville, tha se nxjerrja e mbetjeve nga kraterri që u formua në rrugë do të jetë një detyrë jashtëzakonisht e vështirë.
Analiza e trajektores së fluturimit tregon se avioni po humbte lartësi me shpejtësi prej disa qindra këmbësh në sekondë. Në regjistrimin e komunikimit me kontrollin e fluturimit dëgjohet një nga anëtarët e ekuipazhit duke shpallur emergjencë. "Po fluturojmë me shpejtësi të madhe dhe po zbresim me 20,000 këmbë në minutë", dëgjohet në regjistrim, i ndjekur nga fjalët: "Do të godasim tokën". Rreth 35 sekonda pas thirrjes së parë për ndihmë, u dëgjua edhe mesazhi i fundit nga kabina e pilotimit: "Nuk kemi më kohë".
Në një deklaratë të përbashkët, familjet publikuan emrat e shtatë pasagjerëve: biznesmeni Adam Robinson, bashkëshortja e tij Helen Sharp, dy fëmijët e tyre – Emma dhe Charlie – si dhe Rachel Reed, Charmy Fer dhe Anita Maria Cetina. Sipas mediave, piloti ishte Jeffrey Gregory, ndërsa kopiloti – Natalia Filgueiras, e cila mori lejen e pilotit në moshën 17-vjeçare.
Kraterr dhe mbetje në tokë
Përveç nëntë personave që humbën jetën në avion, një burrë në tokë u plagos në këmbë kur avioni ra në rrugë. Zyra e sherifit në qarkun Palm Beach njoftoi se aksidenti ndodhi në "Military Trail" – një rrugë me gjashtë korsi, pranë së cilës ndodhen shumë objekte biznesi dhe restorante. Në fotografitë nga vendi i aksidentit shihet një kraterr i madh në flakë, në mes të rrugës në një lagje periferike.
Në një konferencë për shtyp, autoritetet thanë se mbetjet e avionit ishin shpërndarë nëpër fusha sportive, ndërtesa biznesi dhe shtëpi banimi. Ata mendojnë se kjo është një provë potenciale që avioni filloi të shpërbëhej para se të godiste tokën. Presidenti Trump të dielën në mëngjes ishte në "Mar-a-Lago". Ai u ngrit nga aeroporti afër me avionin presidencial "Air Force One", rreth një orë para aksidentit.



