(Video) Gazetar në Australi u hodh në ujërat e përmbytura dhe shpëtoi një shofer

Gazetari australian i televizionit, Will Mari, me ndihmën e një kalimtari rastësor, shpëtoi një shofer nga një makinë që po fundoshej në ujërat e përmbytura në veri të Brisbane. Mari raportonte për përmbytjet në Queensland për shërbimin publik australian ABC, kur një shofer i një automjeti teren u përpoq të kalonte një rrugë të përmbytur.
Mjeti u bllokua shpejt në ujë dhe filloi të fundoset; i gjithë ngjarja u regjistrua me kamerë, raporton Reuters.
Mari dhe një burrë tjetër notuan deri te makina dhe nxorrën shoferin vetëm pak momente para se mjeti të fundoset plotësisht. “I shpëtuan jetën – për këtë nuk ka absolutisht asnjë dyshim,” tha kameramania e ABC-së, Liz Pickering, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes.
Sipas ABC-së, në qytetin Morefield, ku ndodhi incidenti, ranë rreth 170 milimetra shi.



