(Video) Janë shkarkuar tetë redaktorë të Radio-televizionit të Serbisë: ekipi i ri redaktues u kërkoi falje publikisht shikuesve

Radio-televizioni i Serbisë (RTS) shkarkoi tetë redaktorë në redaksitë e tij dhe në emisionin qendror "Dnevnik 2", ndërsa ekipi i ri redaktues u kërkoi falje publikisht shikuesve për mënyrën e mëparshme të raportimit. Vendimin për shkarkimet e mori ushtruesi i detyrës së redaktorit kryesor të Programit Informativ, Borivoje Uskokoviç, transmeton Nova.rs.
Vendimi u njoftua në edicionin e mbrëmjes së djeshme të "Dnevnik 2", transmetimi i të cilit vonoi për shkak të njoftimeve për bomba të vendosura. Policia më vonë konfirmoi se njoftimi ishte i rremë. Gjatë emisionit u lexua një mesazh nga kolegiumi i ri redaktues, në të cilin njoftohen ndryshime në programin e RTS-së.
Janë shkarkuar tetë redaktorë të RTS-së
Nga detyrat e tyre redaktuese janë shkarkuar Zoran Stanojeviç, Vesna Shiljegoviç, Nikolina Rakiç, Gorislav Papiç dhe Suzana Gvozdenoviç. Bëhet fjalë për redaktorë të portalit të RTS-së, rrjetit të korrespondentëve, programit rajonal, emisionit "Oko" dhe programit të dedikuar për diasporën.
Gjithashtu, janë shkarkuar edhe redaktorët e "Dnevnik 2" qendror, i cili transmetohet në orën 19:30. Bëhet fjalë për Milica Nediç, Dušan Uboviç dhe Ruža Jeremiç Turudiç, të cilët deri tani ishin përgjegjës për redaktimin e një prej emisioneve më të rëndësishme informative të shërbimit publik serb.
Pozitat redaktuese do t’i marrin: Radivoj Marojeviç (rrjeti i korrespondentëve), Milan Srdiç (redaksia rajonale), Vanja Ratkoviç (redaksia e emisionit "Oko") dhe Dragana Ignjiç. Programin e dedikuar për diasporën do ta drejtojë Boban Kovaçevic.
Ekipi i ri redaktues u kërkoi falje shikuesve
Pas njoftimit të shkarkimeve, moderatori i "Dnevnik 2" lexoi një deklaratë nga kolegiumi i ri redaktues i Programit Informativ të RTS-së. Ekipi redaktues kërkoi falje shikuesve për përmbajtjet që, sipas vlerësimit të tyre, ishin lënë jashtë në periudhën e kaluar. "Të nderuar shikues, këto janë hapat e parë drejt – shpresojmë – rikuperimit të RTS-së, si dhe falja e parë për të gjithë ata që i kemi lënë jashtë në periudhën e kaluar", deklaroi ekipi i ri redaktues.
"Dëshirojmë të rikthejmë besimin tuaj", deklaroi ekipi i ri redaktues i Sektorit për programin informativ dhe aktual-politik të RTS-së.



