(Video) Po “zjarr” edhe në Portugali?; Mijëra njerëz në rrugë për shkak të krizës së banimit

Në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, si dhe në Porto, në veriperëndim të vendit, protestat vazhduan këtë mëngjes në sheshet kryesore të qytetit për shkak të krizës së banimit dhe rritjes së kostove të jetesës.
Demonstruesit kaluan një natë të qetë, duke u ulur dhe fjetur në sheshet në Lisbonë dhe Porto, njoftoi agjencia "Lusa". Pjesëmarrësit në protestën kundër krizës së banimit dhe rritjes së kostove të jetesës vendosën dhjetëra çadra në sheshin qendror Rossio në Lisbonë të shtunën në mbrëmje dhe njoftuan se duan të qëndrojnë atje.
Sipas sindikatës, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në marshimin nëpër qendër të Lisbonës të shtunën, i cili kaloi paqësisht, ndërsa policia nuk publikoi vlerësimin e vet për numrin e pjesëmarrësve.
Kërkesat kryesore të pjesëmarrësve në protestën në Lisbonë janë banesa më të përballueshme, qira më të ulëta, paga dhe pensione më të larta. Protesta të ngjashme po mbahen edhe në qytete të tjera evropiane për shkak të rritjes së kostove të jetesës dhe vështirësive në aksesin në banesa, por edhe për kërkesat për arsim më të mirë.



