E enjte, 15 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

(Video) Stambolli nën ujë, dy persona humbën jetën

15.10.2026, 08:58

Një djalë katërmbëdhjetëvjeçar vdiq dje nga goditja elektrike në një park në komunën Fatih të Stambollit, pasi u përplas në një pellg me ujë që ishte nën tension. Qyteti më i madh turk u përfshi dje nga përmbytjet. Shiu i dendur përmbyti shumë rrugë, nënkalime, tunele, shtëpi dhe ambiente biznesi, duke shkaktuar ndërprerje serioze në trafikun rrugor, raporton "Turkey Today".

Djali, i identifikuar me inicialet M. I., u dërgua në spital pa ndjenja nga parku "Çukurbostan" në lagjen Balat. Në njoftimin zyrtar thuhet se mjekët u përpoqën ta ringjallnin, por nuk arritën ta shpëtojnë jetën. Policia ka nisur hetimet.

X (Twitter)

Automjetet rrëshqiten nga uji i përmbytjes ndërsa shiu i rëndë godet Stambollin https://t.co/ZBppmYA4lh

— Türkiye Today (@turkiyetodaycom) 14 tetor 2026

Shiko në X

Shiu i dendur dje shkaktoi përmbytje në Stamboll. Shumë rrugë, nënkalime dhe tunele u mbuluan nga uji, ndërsa u përmbytën edhe shtëpi dhe ambiente biznesi. Automjetet mbetën të bllokuara në rrugët e përmbytura, ndërsa njerëzit kërkonin strehim nga shiu i rrëmbyeshëm në stacionet e transportit publik.

Situata ishte veçanërisht e vështirë në zonën Ayazaga, ku shirat e fortë shkaktuan përmbytje. Uji u grumbullua në rrugë dhe në pjesët më të ulëta të lagjes, duke vështirësuar trafikun dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Anëtarë të Agjencisë Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), me ndihmën e banorëve lokalë, ndihmuan qytetarët që mbetën të bllokuar nga uji në rritje. Ata gjithashtu ndihmuan në transportin e sigurt të banorëve nga zonat e prekura në shtëpitë e tyre.

Dje në Stamboll ranë rreth 100 litra shi për metër katror. Në disa rajone, sasia e reshjeve ishte shumë më e madhe. Në Beykoz ranë 210 litra shi, në Eyüpsultan dhe Sarıyer 170, në Arnavutköy 130 dhe në Büyükçekmece 170 litra shi për metër katror.

Nga Zyra e Guvernatorit të Stambollit u njoftua se shërbimet e emergjencës morën 2.518 thirrje në periudhën nga ora 06:00 deri në 20:00. Nga këto, 1.277 ishin raportime për përmbytje, 15 për rrëshqitje toke, 47 për persona të bllokuar, 13 për pemë të rrëzuara dhe dy për çati të rrëzuara.

Gjithashtu u raportua dëmtim në 76 automjete, 808 objekte banimi dhe 280 ambiente biznesi.

Në zyrën rajonale të AFAD-it u formua një shtab krize, dhe në terren u dërguan rreth 8.000 anëtarë të shërbimeve, së bashku me 2.000 automjete dhe makineri të rënda.

Sipas të dhënave të publikuara në orën 20:00, rrugët janë të kalueshme, aeroportet funksionojnë normalisht dhe nuk ka fluturime të anuluara.

Në rajonin Sarıyer, dy persona u tërhoqën nga uji i përmbytjes, por arritën të kapeshin për objekte të forta dhe të shpëtojnë.

Në rajonin Fatih, ku një djalë vdiq nga goditja elektrike, u përmbytën edhe Pazari i Madh Historik (Kapalıçarşı) dhe Pazari i Erëzave (Pazari Egjiptian), dy tregje të njohura të Stambollit.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, u bëri thirrje banorëve që sot të mos dalin nga shtëpitë e tyre, përveç nëse është absolutisht e nevojshme. Ai gjithashtu rekomandoi që ata që jetojnë në apartamente në bodrum ose në katet nën tokë të kalojnë natën në katet më të larta.

Ai bëri apel që qytetarët të qëndrojnë larg shtratit të lumenjve, nënkalimeve dhe zonave të ndjeshme ndaj përmbytjeve. Çdo person që nuk ka strehim të sigurt mund të kërkojë ndihmë duke telefonuar numrin e emergjencës 112.

foto/EPA

Lajme të ngjashme