(Video) Të përleshura në Madrid pas tragjedisë: Publikohet incizim i bisedës para aksidentit, treni mori leje për lëvizje

Në Spanjë ka filluar një tri-ditësh zie kombëtare pas aksidentit hekurudhor ku humbën jetën të paktën 68 persona, ndërsa dhjetëra u plagosën – një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në historinë moderne evropiane, raporton BBC.
Ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës nën reflektorë të fuqishëm, duke prerë strukturat metalike të vagonëve në kërkim të viktimave. Shumë nga viktimat ende nuk janë identifikuar.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit, i cili ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur një tren i shpejtë, që udhëtonte nga Madridi drejt Sevijës, goditi një tren tjetër që ishte i ndalur në shina.
"E gjithë Spanja vajton"
"E gjithë Spanja vajton", deklaroi kryeministri Pedro Sanchez, duke shtuar se "jetët janë shkatërruar, familjet janë copëtuar, dhe dhimbja është e madhe".
Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, qindra anëtarë të shërbimeve emergjente janë dërguar në vendngjarje për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit.
Përdoren dronë dhe helikopterë për kërkimin në terren dhe pastrimin e mbetjeve.
Treni që ishte i ndalur në shina – i menaxhuar nga kompania private "Irio" me 147 pasagjerë – ndaloi për shkak të një defekti në sistemin kompjuterik, konfirmoi ministri spanjoll i transportit, Oscar Puente.
Dispeçerët morën një vendim të pakuptueshëm
Puente shpjegoi se në rast të një defekti sistemik, kontrolli merret nga një qendër operative në Madrid që punon 24 orë. Megjithatë, qendra – siç tha ministri – mori një vendim "të pakuptueshëm", duke dhënë urdhër që trenat të vazhdojnë lëvizjen pa asnjë kufizim shpejtësie.
Incizimet audio të bisedave midis kontrollorëve të trafikut në Madrid dhe makinistëve zbulojnë se treni i shpejtë mori leje për lëvizje, edhe pse treni para tij ishte në defekt dhe i ndalur në shina.
Kompania "Irio" njoftoi se në një nga trenat e saj, nga pjesa e pasme, goditi një tren i menaxhuar nga kompania shtetërore hekurudhore spanjolle "Renfe", në të cilin kishte 397 pasagjerë. Nga fuqia e goditjes, disa vagonë rrëshqitën në shpatin e hekurudhës.
Pasagjerë të bllokuar në vendet e tyre; një vagon u përfshi nga zjarri
Dëshmitarët përshkruan skena me njerëz që qajnë dhe gjakosen, ndërsa pasagjerët mbetën të bllokuar në vendet e tyre dhe tym i dendur përhapej nëpër vagonë – prej të cilëve njëri u përfshi nga zjarri.
Kryeministri Sanchez deklaroi se është "e papranueshme" që Spanja këtë vit përjetoi dy aksidente të mëdha hekurudhore, duke kujtuar përplasjen e trenit të shpejtë pranë Kordobës në janar, ku humbën jetën 46 persona. Aksidenti ndodhi në të njëjtën linjë, megjithëse shumë më në jug.
Pas aksidentit, shumica e partive politike ndërprenë menjëherë fushatat e tyre zgjedhore.
Protesta në Madrid dhe përplasje me policinë
I vetmi përjashtim ishte partia e djathtë "Vox". Lideri i saj, Santiago Abascal, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në atë që ai e quajti përpjekje për "heshtjen e kritikave" për gjendjen e infrastrukturës hekurudhore në vend, duke përdorur periudhën e zisë si justifikim.
Sipas televizionit spanjoll TVE, gjatë natës rreth 1,500 persona u mblodhën para godinës së Ministrisë së Transportit në Madrid, ku protestuesit kërkonin kryesisht dorëheqjen e kryeministrit Sanchez dhe ministrit Puente.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën pasi protestuesit filluan të hedhin shishe dhe raketa sinjalizuese. Nuk ka raporte për të plagosur apo arrestime.
Makinistët do të bëjnë grevë; kërkimi për të zhdukurit vazhdon
Pritet që makinistët të zhvillojnë grevën e planifikuar të enjten. Sindikata spanjolle e makinistëve (Semaf) njoftoi se protesta organizohet "në mbrojtje të sigurisë hekurudhore". "Spanja ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh me infrastrukturën e saj", deklaroi Alberto Núñez Feijóo, lideri i Partisë Kryesore Opozitare Popullore.
Më vonë të mërkurën, familjet ende përpiqeshin të merrnin informacione për pasagjerët që ishin në trenat. Garda Civile spanjolle hapi zyra të veçanta në Madrid, Toledo, Sevilla dhe Córdoba për pranimin e raportimeve për persona të zhdukur.
"Prioriteti kryesor është identifikimi i personave të zhdukur dhe marrja e mostrave të ADN-së, në mënyrë që të mund të lokalizojmë familjet e tyre", njoftoi Garda Civile në rrjetin social X.









