(Video) Trump njoftoi një “marrëveshje të shkëlqyer, të mrekullueshme për Ukrainën dhe Evropën”; Për çfarë bëhet fjalë?

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje të re sigurie për Ukrainën, e cila mund të "zgjerohet në të gjithë Evropën". Ai e paraqiti propozimin pas takimit me një përfaqësues të lartë rus, por nuk dha detaje konkrete – mungesë qartësie që shkaktoi pasiguri në kryeqytetet evropiane, transmeton CNN.
Trump bëri këto deklarata pas takimit me Kirill Dmitriev, kreun e fondit shtetëror rus të investimeve që është nën sanksione dhe vepron si përfaqësues i presidentit Vladimir Putin. Presidenti amerikan, i cili në disa raste ka premtuar se do të negociojë për të vënë fund luftës në Ukrainë, nuk ofroi detaje konkrete për planin e ri.
"Do të jetë diçka vërtet e madhe. Do të përfshijë më shumë se vetëm Ukrainën – madje mund të them se ndoshta do të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe, e bukur dhe të gjithë do të jenë të entuziazmuar", u tha Trump gazetarëve të enjten.
Marrëveshje për Ukrainën dhe Evropën
Djali i Trump, Jared Kushner, gjithashtu u shpreh në platformën "X". Ai shprehu qëndrimin se është e nevojshme një "arkitekturë më e gjerë evropiane e sigurisë" për "të adresuar shqetësimet e sigurisë të të gjitha palëve, për të reduktuar rrezikun e konflikteve të ardhshme dhe për të krijuar një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm të sigurisë dhe energjisë".
"Më shumë se 30 vjet, Evropa dhe Rusia kanë tentuar të krijojnë një kornizë të qëndrueshme sigurie. Mosbesimi dekadash, interesat e kundërta të sigurisë dhe pasojat shkatërruese të kësaj lufte e bëjnë këtë një sfidë jashtëzakonisht të vështirë – por ajo është thelbësore për paqen e qëndrueshme", tha Kushner. Ai nuk përmendi se Rusia ka kryer një pushtim ndaj Ukrainës, as nuk iu referua një sërë sulmesh hibride për të cilat Evropa e akuzon Moskën.
Kushner gjithashtu bëri thirrje për "transparencë më të madhe ushtarake dhe masa reciproke për të reduktuar rrezikun e eskalimit" midis Rusisë dhe Evropës. Kjo deklaratë mund të shkaktojë shqetësim në disa pjesë të Evropës, duke pasur parasysh qëndrimin shumëvjeçar të Moskës se vetë prania e NATO-s në Evropën Lindore, në fakt, përbën një eskalim.



