Kërcënime për bomba dërguar në stacionet televizive nëpër Evropë: „Ora po tik-takon“

Stacione televizive në mbarë Evropën morën kërcënime për bomba me paralajmërimin „ora po tik-takon“, që çoi në evakuime dhe ndërprerje në program.
Paralajmërimet u dërguan te shërbimi publik irlandez RTE, britanikja "Sky", televizioni privat bullgar "Nova TV" dhe media të tjera, njoftuan kompanitë.
Kërcënime të rreme
Në asnjë nga vendet e prekura nuk u gjet bombë.
Këto kërcënime erdhën pas një serie kërcënimesh të rreme për bomba që në ditët e fundit penguan trafikun ajror të pasagjerëve nga Serbia dhe Finlanda drejt Spanjës dhe destinacioneve të tjera, duke shkaktuar devijime fluturimesh, ulje të detyruara dhe kontrolle sigurie, megjithëse deri tani nuk është gjetur asnjë eksploziv.
Paralajmërimet vijnë edhe në një kohë shqetësimi të shtuar për mashtrime kibernetike në javët e fundit, përfshirë sulme kibernetike ndaj zinxhirëve tregtarë.
"Dëshirojmë që e gjithë bota të dëgjojë për ne, prandaj një nga operativët tanë vendosi një pajisje shpërthyese në ndërtesën tuaj", thuhet në një nga mesazhet elektronike të marra nga "Nova" dhe RTE të premten. "Ajo do të shpërthejë brenda 45 minutash. Ora po tik-takon."
"Mesazh për Perëndimin"
Ende nuk dihet kush qëndron pas kërcënimeve të rreme.
Mesazhet elektronike të dërguara te RTE dhe "Nova" ishin nënshkruar me emrin Mihail Andropov, dhe në mesazh thuhej se autori është një nga udhëheqësit e grupit përgjegjës për alarmet e rreme në avionët këtë javë.
"Por kjo është vetëm fillimi. Ajo që ndodhi këtë javë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që e pret Evropën në të ardhmen e afërt", shtohej në mesazh.
Autori i dyshuar mban të njëjtin mbiemër si Jurij Andropov, ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Titulli i mesazhit elektronik, "MESAZH PËR PERËNDIMIN", aludon në titullin e biografisë për Andropovin, që quhet "Një sfidë e re për Perëndimin".
Nuk është e qartë nëse kjo është një shenjë për përfshirje ruse ose një përpjekje për të hedhur fajin mbi Moskën.
Kryeministri irlandez Michael Martin deklaroi se shërbimet e sigurisë në Evropë ende nuk kanë përcaktuar nëse kërcënimet ndaj trafikut ajror dhe organizatave mediatike vijnë nga individë apo janë pjesë e një sulmi të koordinuar.



