Seri alarmash për bomba në avionë nëpër Evropë, më shumë fluturime u devijuan

Më shumë avionë pasagjerësh në Evropë sot janë devijuar ose iu janë nënshtruar kontrolleve shtesë të sigurisë pas një serie alarmash për bomba të vendosura. Incidentet preknin fluturime drejt Francës, Italisë, Bullgarisë, Belgjikës dhe vendeve të tjera evropiane, transmetojnë “The Guardian” dhe portali ukrainas NV.
Një avion i kompanisë “Aer Lingus”, i cili fluturonte nga Dublin drejt Romës, u devijua drejt një baze ajrore ushtarake në qytetin francez Evre. Avioni u ul në mënyrë të sigurt, ndërsa 151 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit u evakuan.
Alarm për bomba u dërguan edhe për tre avionë të “Ryanair” që fluturuan drejt Bullgarisë. Dy avionë, nga Madridi dhe Kopenhaga, u ulën në Sofje, ndërsa avioni nga Londra u devijua drejt Plovdivit.
Në mesin e fluturimeve të prekura ishin edhe një avion i kompanisë polake LOT nga Varshava drejt Brukselit, një avion i “Wizz Air” nga Milano drejt Varshavës, i cili u devijua drejt Vjenës, si dhe dy fluturime të “Finnair” nga Helsinki drejt Romës dhe Vjenës.
Autoritetet çeke morën kërcënime edhe për të paktën katër avionë që fluturuan drejt Pragës.
Derisa nuk ka informacione që në ndonjë nga avionët e kontrolluar të jetë gjetur eksploziv. Kompania polake e aviacionit LOT konfirmoi se gjatë kontrollit të avionit të saj nuk u zbuluan objekte të dyshimta.
Incidentë të ngjashëm u regjistruan edhe të martën, kur më shumë fluturime drejt Polonisë, Spanjës, Italisë dhe Bullgarisë morën alarme për bomba. Të gjithë avionët u ulën në mënyrë të sigurt, ndërsa kontrollet nuk zbuluan pajisje shpërthyese.
Qeveria britanike i përshkroi incidentet e mëparshme si “kërcënime të rreme me qëllim keqdashës”.



