E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Gjorgjievski: Të rinjtë meritojnë shtëpinë e tyre – lirime nga komunali për çiftet e reja deri në 40 vjeç

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, shpalli një masë të veçantë për një fillim më të lehtë dhe mbështetje për familjet e reja në Shkup. Me këtë masë, çiftet e reja deri në 40 vjeç dhe prindërit vetëmbajtës që duan të ndërtojnë shtëpinë e tyre do të lirohen nga pjesa e tarifës për rregullimin e tokës ndërtimore që i përket Qytetit të Shkupit – pra 60% e komunaleve totale, për objekte brenda Planit të Përgjithshëm Urbanistik të qytetit.

"Shtëpia e vet është themeli mbi të cilin ndërtohet një familje. Vendi ku fillojnë planet e përbashkëta, ku rriten fëmijët dhe ku e ardhmja merr adresën e vet. Prandaj, të rinjtë që duan të ndërtojnë shtëpinë e tyre meritojnë mbështetje të fortë dhe konkrete nga Qyteti i Shkupit. Praktika e suksesshme që kemi vendosur në Kisella Vodë, për herë të parë në historinë e shtetit, tani e sjellim edhe në Qytetin e Shkupit. Ajo që premtova në programin tim e kthejmë në ndihmë reale për familjet", deklaroi Gjorgjievski.

Kryetari theksoi se nëse të gjitha komunat e Shkupit bashkohen duke liruar edhe pjesën e tyre, kjo mbështetje do të arrijë lirimin 100% nga komunali.

"I ftoj të gjithë kolegët e mi kryetarë komunash të qëndrojmë së bashku pas këtij qëllimi dhe t’u lehtësojmë rrugën drejt shtëpisë së tyre sa më shumë familjeve. Kemi mundësinë të lëmë diçka të vlefshme pas – më shumë familje me çati mbi kokë dhe me siguri më të madhe për ditën e nesërme. Ngarkesa më e vogël financiare gjatë ndërtimit do të thotë më shumë mjete për rregullimin e shtëpisë, për nevojat e fëmijëve dhe për një fillim më të sigurt të jetës së përbashkët. Siç premtova, të rinjtë do të kenë dorën e shtrirë nga unë dhe nga Qyteti i Shkupit. Do të kenë mbështetjen që u nevojitet pikërisht kur bëjnë hapat më të rëndësishëm në jetë. Dua që të rinjtë këtu të ndërtojnë shtëpinë e tyre, këtu të rrisin fëmijët e tyre dhe këtu të shohin të ardhmen e tyre. Është detyra jonë të krijojmë kushtet për këtë. Për një Shkup ku të rinjtë kanë të ardhme", tha Gjorgjievski.

Ai theksoi se kjo masë është një investim i drejtpërdrejtë në të rinjtë, në sigurinë e familjeve dhe në të ardhmen e Shkupit.

Masa do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në gazetat zyrtare, ndërsa kërkesa për aplikim do të jetë në dispozicion në faqen zyrtare të Qytetit të Shkupit.

Lajme të ngjashme