Vlen: Lirimi nga paraburgimi i Artan Grubit dhe Perparim Bajramit është një skandal i paimagjinueshëm dhe tallje e hapur me institucionet shtetërore

„Lirimi nga paraburgimi i Artan Grubit dhe Perparim Bajramit përbën një skandal të paimagjinueshëm dhe tallje të hapur me institucionet shtetërore“, thonë nga Vlen.
„Sot, kur opinioni publik është në shok nga informacioni se një i ri në të tridhjetat e tij, i cili ka punësimin e parë pikërisht në Loterinë Shtetërore, ka blerë lirinë e tij me garanci në vlerë mbi një milion euro, ndërsa i tij shef pak më parë doli nga paraburgimi shtëpiak, edhe pse të dy kanë qenë në arrati nga drejtësia për më shumë se një vit, lindin disa pyetje publike:
A i kthen Sasho Mijalkovi borxhin Artan Grubit për shërbimet që ky i fundit i ka bërë, duke e lënë të lirë ndërkohë që shqiptarët kalonin nëpër burgje?! A është kjo llogaria për manipulimin e sistemit gjyqësor përmes gjyqtarëve të bindur, për të cilën Artan Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane?!
A është drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit vënë në provë nga recidivistët e shërbimeve sekrete dhe nënbotës? Dhe a paguajmë të gjithë ne çmimin e lojërave të pista të pushtetit të kaluar me eksponentë të shërbimeve sekrete dhe aleancat e tyre të heshtura me kartelët e krimit të organizuar?!
A janë këto vendime turpëruese të organeve gjyqësore pasojë e ndryshimeve kontraverse në Kodin Penal, të cilin e sponsorizoi pikërisht Artan Grubi?!
VLEN kërkon menjëherë shpjegim nga organet kompetente dhe institucionet përgjegjëse në drejtësi dhe prokurori për mënyrën se si erdhi deri te lirimi i dy personave që ishin në arrati nga drejtësia! Si parti politike në pushtet, do të përdorim të gjitha mekanizmat institucionalë për të zbardhur këtë skandal dhe për t’i bindur qytetarët se nuk do të ketë tallje me drejtësinë dhe shtetin!
Njëkohësisht, kërkojmë vëmendje të shtuar ndërkombëtare ndaj degradimit të institucioneve dhe shkatërrimit të besimit të qytetarëve në shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar në një vend anëtar të NATO-s.
Pas Artan Grubit, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane për aktivitete korruptive në bashkëpunim me Mijalkovin, tani me garanci prej 1.2 milionë eurosh nga paraburgimi lirohet edhe Perparim Bajrami, ish-drejtori i Loterisë Shtetërore.
Këto ngjarje nuk duhet të kalojnë në heshtje, as të mbeten pa përgjegjësi. Të gjithë ata që kanë pasur rol në këto procese do të mbajnë përgjegjësi brenda kompetencave të tyre ligjore dhe institucionale.
VLEN i bën thirrje faktorëve ndërkombëtarë dhe ambasadave të huaja të ndjekin me kujdes këtë proces, në funksion të transparencës dhe sundimit të ligjit.
Grubi dhe Bajrami nuk duhet të jenë mbi ligjin. Askush nuk duhet të shmangë përgjegjësinë. Do të ketë përgjegjësi. Drejtësia do të arrijë tek secili“, thuhet në njoftimin e Vlen.



