Prokuroria në Serbi reagon pas dyshimeve për shkatërrimin e dokumenteve zyrtare në institucionet shtetërore

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad i ka urdhëruar policisë të marrë menjëherë masa për parandalimin e shkatërrimit të dokumentacionit zyrtar në institucionet shtetërore, bankat, Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Agjencinë e Zbulimit Ushtarak (VOA) dhe institucione të tjera të rëndësishme për sigurinë ekonomike, financiare dhe ligjore të Serbisë, transmeton "Nova.rs".
Prokuroria ka reaguar pas informacioneve që u shfaqën në publik për shkatërrim të dyshuar të dokumenteve zyrtare. Bazuar në udhëzimin e detyrueshëm të Prokurorisë së Lartë Publike nga 29 tetori, policisë i është urdhëruar të veprojë menjëherë dhe për çdo dyshim për vepër penale të njoftojë prokuroritë kompetente.
Reagimi vjen pasi avokati serb Ivan Niniq dje në rrjetin social X publikoi fotografi të qeseve të zeza të mbushura me letra, për të cilat pretendon se vijnë nga selia e Fondit Republikan për Sigurimin e Pensioneve dhe Invaliditetit.
"Këto janë fotografi nga dje nga drejtoria, selia e Fondit PIO. Makineria për shkatërrimin e dokumenteve punon pa pushim, diçka vetëm pritet, e diçka copëtohet maksimalisht dhe nxirret në kontenierë", shkroi Niniq.
Ai paralajmëroi se shkatërrimi i dokumentacionit zyrtar mund të përbëjë vepër penale dhe përmendi drejtorin e Fondit, Relja Ognjenoviq, i cili është anëtar i Bordit Kryesor të Partisë Progresive Serbe (SNS).
Asociacioni i Sindikatave të Lira dhe të Pavarura kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Ognjenoviqit, duke e akuzuar për keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe presion mbi punonjësit.
Niniq më parë kishte njoftuar gjithashtu se, sipas informacioneve nga burimi i tij, një bankë në Serbi dyshohet se ka filluar të transferojë para jashtë vendit. Ai tha se ka kërkuar mbikëqyrje urgjente nga Banka Popullore e Serbisë për shkak të rreziqeve të mundshme për depozitat e sektorit publik.
Derim tani nuk ka konfirmim të pavarur për përmbajtjen e qeseve, as që dokumentacioni është shkatërruar në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, nuk janë konfirmuar pretendimet për transferimin e parave jashtë vendit.



