E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

BE-ja dhe Kanadaja zgjerojnë bashkëpunimin për zhvillimin e inteligjencës artificiale

Kanadaja i bashkohet rrjetit evropian të superkompjuterëve në kuadër të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian për forcimin e kapaciteteve kompjuterike të nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale, njoftoi "Politico".

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi se Kanadaja bëhet pjesë e rrjetit, duke i dhënë kështu kompanive, startup-eve dhe studiuesve kanadezë akses në superkompjuterët evropianë.

"Në kombinim me industrinë e avancuar kanadeze të inteligjencës artificiale, kjo do të na mundësojë të zhvillojmë sisteme shumë konkurruese, inovative dhe të sigurta të inteligjencës artificiale", deklaroi von der Leyen.

Rrjetin evropian e menaxhon ndërmarrja e përbashkët "EuroHPC", një partneritet publik-privat i BE-së me një buxhet prej 8.2 miliardë eurosh. Rrjeti përfshin 14 superkompjuterë, disa prej të cilëve janë ndër dhjetë më të fuqishmit në botë, 19 qendra të specializuara për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe 10 kompjutera kuantikë.

Është planifikuar gjithashtu ndërtimi i shtatë qendrave të mëdha të të dhënave për inteligjencën artificiale, të quajtura gigafabrika, me një investim total prej 30 miliardë eurosh. Ndërtimi i tyre pritet të fillojë vitin e ardhshëm.

Ekspertët përshëndesin bashkëpunimin, por paralajmërojnë se ai për momentin nuk do të ulë ndjeshëm varësinë teknologjike nga SHBA-ja.

Anton Leicht nga Fondacioni "Carnegie" për Paqen Ndërkombëtare vlerëson se lidhja e kapaciteteve kompjuterike evropiane dhe kanadeze është një hap i rëndësishëm i parë, por për pavarësi të vërtetë do të nevojiten investime shumë më të mëdha në infrastrukturë.

Anëtarësimi i Kanadasë përbën një vazhdim të bashkëpunimit deri më tani me BE-në përmes programit kërkimor "Horizont Europa". Në rrjetin evropian të superkompjuterëve deri tani kanë marrë pjesë 38 vende, përfshirë edhe shtete jashtë Bashkimit.

Lajme të ngjashme