Slaveski: Ka filluar pagesa e mjeteve të klientëve të „ALTA banka“ AD Bitola

Sot në mëngjes ka filluar pagesa e mjeteve të qytetarëve që kanë llogari pagese në „ALTA banka“ AD Bitola, dhe nuk disponojnë me karta pagese, me prioritet të veçantë për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale, njoftoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, në takimin me kryetaren e Bashkimit të Shoqatave të Pensionistëve të Maqedonisë (SZPM), Stanka Trajkova, dhe drejtorin e Fondit të Sigurimit Pensionor dhe Invalidor, Nikola Memov.
Nga Banka Popullore njoftuan se pagesa e mjeteve po zhvillohet pa pengesa. Edhe pse për sot përmes mesazheve SMS janë thirrur rreth 400 qytetarë, në sportele po shërbehen edhe qytetarët që nuk kanë lënë numër telefoni për kontakt, por kanë ardhur vetë për të tërhequr mjetet
. Sipas kufizimeve të vendosura, qytetarët mund të tërheqin deri në 20.000 denarë, brenda shumës maksimale të lejuar për periudhën prej dy javësh.
Guvernatori theksoi se Banka Popullore po punon edhe për krijimin e kushteve për organizimin e pagesës së mjeteve përmes sporteleve edhe në qytete të tjera të vendit, me qëllim që të lehtësohet qasja e pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale te mjetet e tyre.
„Ne e kuptojmë shqetësimin dhe nevojën e qytetarëve për të pasur në dispozicion mjetet e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për pensionet, pagat dhe mjetet e destinuara për përmbushjen e nevojave të përditshme jetësore. Dua edhe një herë të theksoj qartë se mjetet e klientëve vazhdojnë të jenë në llogaritë e tyre në ‘ALTA banka’ AD Bitola. Kufizimet e përkohshme lidhen me mënyrën e disponimit të mjeteve dhe janë vendosur për të ruajtur likuiditetin dhe stabilitetin e Bankës dhe për të mbrojtur interesat e të gjithë klientëve të saj“, theksoi guvernatori Slaveski.
Guvernatori Slaveski, drejtori i PIO Fondit, Memov, dhe kryetarja e SZPM-së, Trajkova, i ftuan pensionistët të jenë të qetë se pagesa e mjeteve për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale është prioritet në aktivitetet e Bankës Popullore. Po ashtu, u theksua se po punohet edhe për gjetjen e zgjidhjeve për sigurimin gradual të shërbimeve të tjera bankare në kohën më të shkurtër të mundshme.
Guvernatori Slaveski theksoi se Banka Popullore vazhdimisht ndërmerr aktivitete për tejkalimin e situatës së krijuar dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme që do të mundësojnë lehtësim gradual dhe të sigurt të disponimit të mjeteve të qytetarëve dhe kompanive.
Në takim u theksua edhe rëndësia e komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me shoqatat e pensionistëve, si partnerë të rëndësishëm në informimin në kohë të qytetarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre si përdorues të shërbimeve pagese.



