E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Kapacitetet e zgjeruara të kopshtit fëmijëror „Goce Dellçev“ në komunën Ilinden

Kryetari i Komunës Ilinden, Aleksandar Georgievski, së bashku me ministrin e politikës sociale, demografisë dhe të rinjve, Gjoko Velkovski, deputeten Dragana Bojkovska, si dhe përfaqësues të institucioneve publike dhe Këshillit të Komunës Ilinden, vizituan ambientet e reja të rregulluara në kopshtin fëmijëror „Goce Dellçev“ dhe sportelin e ri të hapur për punë sociale në ndërtesën komunale.

Gjatë vizitës u inspektuan dy dhomat e reja të aktiviteteve, të cilat janë rregulluar me rikonstruksion dhe ndryshim të përdorimit të hapësirave të kuzhinës së mëparshme, pas ndërtimit dhe vënies në funksion të kuzhinës së re qendrore. Me realizimin e projektit, kapaciteti i kopshtit është zgjeruar për 50 vende shtesë, duke e çuar kapacitetin total në rreth 650 fëmijë.

Gjatë vizitës u inspektua edhe hapësira e re multifunksionale, e rregulluar dhe e pajisur në pjesën e nënkulmit të kuzhinës qendrore, e destinuar për nevojat e stafit profesional, edukativ dhe kujdestar, si dhe të punonjësve të tjerë në kopsht. Hapësira mundëson përgatitjen e aktiviteteve ditore edukativo-arsimore, planifikimin dhe realizimin e projekteve me rëndësi për institucionin, si dhe aktivitete për pushim dhe përmirësimin e mirëqenies psikofizike të punonjësve pas përfundimit të detyrave të punës.

Kryetari Georgievski theksoi se investimet në zgjerimin e kapaciteteve të kopshtit dhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit janë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e komunës dhe sigurimin e shërbimeve cilësore për banorët më të vegjël dhe familjet e tyre.

Vizita pune përfshiu edhe inspektimin e sportelit të ri të hapur për punë sociale në ambientet e Komunës Ilinden, në prani të drejtorit të Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale të qytetit të Shkupit, Hamza Ameti.

Në sportelin e komunës, çdo të martë dhe të enjte, qytetarët do të kenë akses në shërbimet lidhur me pranimin, administrimin dhe përpunimin e kërkesave për realizimin e të drejtave në fushën e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve brenda Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale – Shkup, pa pasur nevojë të udhëtojnë deri te institucionet kompetente në Shkup.

Lajme të ngjashme