E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

MZSHV: Komisioni Evropian thekson hapat reformuese në prodhimin organik, politikën fito-sanitare dhe peshkimin

Komisioni Evropian (KE) në Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026 thekson miratimin e Ligjit të ri për prodhimin organik, Planin Kombëtar për përdorimin e qëndrueshëm të pesticideve dhe Planin Kombëtar për menaxhimin e anguilës si hapa konkretë që kontribuojnë në përparimin në fushat përkatëse, njoftoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.

Në pjesën për bujqësi dhe zhvillim rural, KE vëren vazhdimin e përshtatjes së politikës bujqësore me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe përditësimin e Strategjisë Kombëtare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021–2027 në shkurt të këtij viti. Ligji i ri për prodhimin organik, i cili hyri në fuqi në mars 2026, është veçanërisht theksuar si kontribut për përparimin në këtë kapitull.

Maqedonia e Veriut ka një nivel të mirë përgatitjeje në fushat e sigurisë ushqimore, politikës veterinare dhe fito-sanitare, vlerëson KE. Komisioni gjithashtu përmend aktivitetet e nisura për mbrojtjen e integruar kundër dëmtuesve në dy rajone pilot, zhvillimin e mëtejshëm të sistemit informacionit fito-sanitar dhe përditësimin e rregullt të listës së organizmave dëmtues sipas rregullave të BE-së dhe situatës në vend.

KE thekson gjithashtu se Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka kryer auditime të rregullta të laboratorëve në fushën e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore, dhe në shumicën e fushave ka punuar sipas standardeve të menaxhimit të cilësisë. Komisioni miratoi programin kombëtar të monitorimit për vitin 2026 për mbetjet e barnave veterinare dhe kontaminantëve, i cili përfshin disa kategori produktesh, përfshirë mish, qumësht, vezë dhe mjaltë. Gjithashtu, në raport konstatohet një përputhje e avancuar e legjislacionit kombëtar me rregullat e BE-së në fushën e mirëqenies së kafshëve.

Në peshkim dhe akuakulturë, KE vëren përparim, veçanërisht përmes miratimit të Planit Kombëtar për menaxhimin e anguilës, i cili përcakton masa për ruajtjen e saj dhe uljen e vdekshmërisë së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore. Vërehet gjithashtu vazhdimi i masave për mbrojtjen e specieve të ndjeshme të peshqve, aktivitetet për ripeshkim me troftë të Ohrit dhe aktivitetet e shtuar për zbatimin e rregullave në fushën e mbikëqyrjes inspektuese dhe kontrollit.

Lidhur me zhvillimin rural, raporti thekson vazhdimin e zbatimit të IPARD III, si dhe masat e ndërmarra nga institucionet kombëtare, përfshirë zbatimin e planit të veprimit për përmirësimin e realizimit të programit.

Lajme të ngjashme