MJA: Komisioni Evropian vëren përparimin, ne mbetemi të përkushtuar ndaj realizimit të agjendës së reformave

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton hapat e ndërmarra në reformën e administratës publike dhe përparimin e moderuar në vendosjen e një baze më të fortë institucionale dhe ligjore për funksionimin e saj. Këto vlerësime janë një konfirmim i rëndësishëm për drejtimin reformues ndaj të cilit jemi plotësisht të përkushtuar, por edhe një detyrim i qartë që ndryshimet e nisura të vazhdojnë me një dinamikë edhe më të fortë dhe të sjellin rezultate më konkrete në funksionimin e institucioneve, thonë nga Ministria e Administratës Publike.
Atje shtojnë se Komisioni Evropian vëren forcimin e kapaciteteve të Ministrisë për koordinim dhe monitorim të menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike.
"Kjo është rezultat i një qasje sistematike ndaj reformës, e cila në periudhën e kaluar solli ndryshime konkrete ligjore dhe institucionale, përmes miratimit të ligjeve të reja për shërbyesit administrativë dhe të punësuarit në sektorin publik në vitin 2025 dhe Ligjit për drejtuesit e lartë në vitin 2026. Këto zgjidhje ligjore janë themeli për krijimin e një sistemi profesional dhe përgjegjës, ku ekspertiza, meritat dhe kompetenca do të jenë parimet kryesore në përzgjedhjen, avancimin dhe drejtimin në administratën publike", thonë nga MJA.
Një hap veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim, shtojnë atje, është krijimi i Akademisë për Administratë Publike, si një nga shtyllat kyçe të reformës dhe profesionalizimit afatgjatë të sektorit publik. Sqarojnë se roli i saj do të jetë thelbësor në krijimin e një gjenerate të re shërbyesish administrativë, përmes një sistemi edukimi të vazhdueshëm, trajnimesh të specializuara dhe zhvillimit të kompetencave bazuar në standardet evropiane dhe praktikat bashkëkohore të administratës publike.
"Në raport është njohur veçanërisht roli i Këshillit për reformën e administratës publike si mekanizëm kyç për sigurimin e lidershipit politik, mbështetjes së vazhdueshme dhe mbikëqyrjes strategjike mbi procesin reformues. Roli i tij është thelbësor për ruajtjen e vazhdimësisë së reformave, përcaktimin e prioriteteve dhe zbatimin e koordinuar të reformave në nivelin më të lartë institucional. Një shtyllë veçanërisht e rëndësishme e reformës është përmirësimi i vlerësimit të ndikimit të rregulloreve (VNR), si një instrument për përmirësimin thelbësor të procesit të përgatitjes dhe miratimit të ligjeve dhe krijimit të politikave publike. Komisioni Evropian vëren miratimin e metodologjisë së re në qershor 2025, me të cilën vendoset një bazë më e fortë për analizë sistematike dhe më konsistente të ndikimit të ligjeve", thonë nga Ministria.
Si pjesë e përmirësimit të sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, shtojnë atje, vërehet edhe përmirësimi i Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBN), i cili ka për qëllim sigurimin e një menaxhimi më efikas të proceseve kadrovike dhe përbën bazën për regjistrim më të mirë, koordinim dhe menaxhim të të punësuarve në sektorin publik.
"Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të agjendës së reformave, në drejtim të transformimit të administratës publike në një sistem modern, profesional dhe efikas, të harmonizuar me standardet evropiane. Fokusimi ynë është ndërtimi i institucioneve me kapacitet, integritet dhe përgjegjësi, të cilat do të sigurojnë shërbime cilësore për qytetarët, do të reduktojnë barrierat administrative për bizneset dhe do të kontribuojnë në një shtet funksional, konkurrues dhe evropian", thonë nga Ministria e Administratës Publike.



