E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Rokas i dorëzon raportin e KE-së Qeverisë, ndryshimet kushtetuese mbeten kusht për përparim drejt Bashkimit Evropian

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, sot do t’i dorëzojë Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2026 kryeministrit Kristian Mickoski. Pas takimit, është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp në Qeveri.

Në raportin e publikuar, Komisioni Evropian konstaton se Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës së Reformave, por thekson se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e procesit eurointegrues.

Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, tha se qëllimi i Komisionit mbetet hapja e klasit të parë të negociatave menjëherë pas përmbushjes së kushteve.

"Tani kjo varet nga Maqedonia e Veriut", theksoi Kos.

Në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026 theksohet se nuk janë bërë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të parashikuara me përfundimet e Këshillit më 18 korrik 2022, me të cilat në Kushtetutë duhet të përfshihen edhe qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë, përfshirë bullgarët.

Komisioni Evropian vlerëson se është arritur një përparim i caktuar në reformat gjyqësore, por pavarësia dhe autonomia financiare e drejtësisë vazhdojnë të dëmtohen nga ndërhyrjet e degëve të tjera të pushtetit dhe mungesa serioze e burimeve financiare dhe njerëzore.

Në luftën kundër korrupsionit nuk është vërejtur përparim, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe përbën një shkak serioz shqetësimi. Komisioni gjithashtu thekson se ndryshimet në Kodin Penal nga janari 2026 nuk kanë hequr pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023.

Në pjesën për institucionet demokratike, KE vlerëson se polarizimi politik ngadalëson miratimin e ligjeve të rëndësishme reformuese, ndërsa në një pjesë të madhe të kapitujve të negociatave përparimi është i kufizuar ose mungon plotësisht.

Vërejtje janë bërë edhe për presionet ndaj gazetarëve, mbrojtjen e pamjaftueshme të të drejtave të njeriut dhe zbatimin e rekomandimeve zgjedhore. Në fushën e lirisë së shprehjes nuk është vërejtur përparim, ndërsa shërbimi publik radiodifuziv dhe organi rregullator vazhdojnë të përballen me sfida lidhur me autonominë financiare dhe administrative.

Lidhur me marrëdhëniet fqinjësore të mira, Komisioni Evropian bën thirrje për përpjekje shtesë për përmirësimin e dialogut me Bullgarinë dhe zbatimin e qëndrueshëm të marrëveshjeve bilaterale. Në raport gjithashtu vërehet se anëtarë të Qeverisë dhe funksionarë të lartë herë pas here nuk përdorin emrin kushtetues të shtetit, gjë që mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Greqinë.

Lajme të ngjashme