Brukseli me vërejtje në raportin për Maqedoninë: Nuk ka ndryshime kushtetuese, as përparim në luftën kundër korrupsionit

Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës së Reformave, por për vazhdimin e procesit eurointegrues është e nevojshme miratimi i ndryshimeve kushtetuese, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se qëllimi i Komisionit mbetet hapja e klasterit të parë negociues menjëherë pas përmbushjes së kushteve.
"Tani kjo varet nga Maqedonia e Veriut", theksoi Kos.
Në raport konstatohet se nuk janë bërë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të parashikuara me përfundimet e Këshillit më 18 korrik 2022, me të cilat në Kushtetutë duhet të përfshihen edhe qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë, përfshirë bullgarët.
Komisioni Evropian vlerëson se është arritur një përparim i caktuar në reformat gjyqësore, por pavarësia dhe autonomia financiare e drejtësisë vazhdojnë të dëmtohen nga ndërhyrjet e vazhdueshme të degëve të tjera të pushtetit, si dhe nga mungesa serioze e burimeve financiare dhe njerëzore. Në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit nuk është arritur përparim, vlerëson KE, duke theksuar se korrupsioni mbetet i përhapur dhe përbën një shkak serioz shqetësimi.
Vërehet gjithashtu se ndryshimet në Kodin Penal nga janari 2026 nuk kanë hequr pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023.
Lidhur me institucionet demokratike, KE thekson se polarizimi politik ngadalëson miratimin e ligjeve të rëndësishme reformuese, dhe në pjesën më të madhe të kapitujve negociues përparimi është i kufizuar ose mungon krejtësisht.
Ka vërejtje edhe për presionet ndaj gazetarëve, mbrojtjen e pamjaftueshme të të drejtave të njeriut dhe zbatimin e rekomandimeve zgjedhore. Në fushën e lirisë së shprehjes nuk është vërejtur përparim, ndërsa shërbimi publik radiodifuziv dhe organi rregullator vazhdojnë të përballen me sfida lidhur me autonominë financiare dhe administrative.
Në pjesën e marrëdhënieve fqinjësore të mira, Komisioni kërkon përpjekje shtesë për përmirësimin e dialogut me Bullgarinë dhe zbatimin e qëndrueshëm të marrëveshjeve bilaterale. Në raport përmendet gjithashtu se anëtarë të Qeverisë dhe funksionarë të lartë herë pas here nuk përdorin emrin kushtetues të shtetit, gjë që mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Greqinë.



