E diel, 1 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Amazon i shpalli luftë Nvidia-s: Me një veprim, ata ndryshojnë rregullat e lojës në botën e AI

Një gjigant amerikan lansoi një softuer të ri falas, të quajtur TorchNeuron, me qëllim që t'i konkurrojë liderit të tregut dhe të ulë varësinë nga çipet më të fuqishme në botë.

Gjiganti amerikan i teknologjisë Amazon prezantoi një mjet të ri softuerik që lejon kodin për inteligjencën artificiale (AI) të ekzekutohet në çipet e tyre të dizajnuara posaçërisht, pa nevojën për ndonjë ndryshim.

Me këtë veprim, Amazon përpiqet të ulë avantazhin që kompania Nvidia ka në tregun e infrastrukturës kompjuterike për AI, transmeton Reuters.

Mjeti i ri, i quajtur TorchNeuron, u mundëson programuesve të ekzekutojnë kod të shkruar brenda platformës PyTorch në çipet Trainium të Amazon – ku kërkohet vetëm një ndryshim në konfigurim, në vend të rishkrimit të plotë të kodit.

Amazon planifikon ta ofrojë softuerin falas si një zgjidhje me kod të hapur, duke i lehtësuar kështu kalimin drejt çipeve të tyre për programuesit dhe kompanitë, duke i ofruar si alternativë harduerit të Nvidia-s.

PyTorch është një nga kuadrot më të përdorura softuerike për zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

Gjatë më shumë se një dekade, Nvidia ka zhvilluar platformën e saj softuerike CUDA, e cila mundëson ekzekutimin efikas të kodit nga PyTorch në çipet e tyre – një faktor që i dha kompanisë një avantazh të konsiderueshëm ndaj konkurrentëve.

Më parë, përshtatja e aplikacioneve ekzistuese të AI për të punuar në lloje të ndryshme çipesh mund të kërkonte muaj punë inxhinierike, duke e vështirësuar kalimin e kompanive drejt zgjidhjeve alternative. Kol Brajs, nënkryetar për softuer në njësinë Annapurna Labs të Amazon, tha për Reuters se qëllimi i mjetit të ri është të ulë numrin e hapave të nevojshëm për programuesit që të testojnë çipet e Amazon.

Më shumë se 30 kompani dhe ekipe zhvillimi tashmë po përdorin këtë softuer, dhe aplikacionet përfshijnë fusha nga robotika deri te sistemet e përpunimit të zërit.

Amazon nuk është kompania e vetme teknologjike që përpiqet të ulë varësinë e tregut nga hardueri i Nvidia-s.

Sipas Reuters, edhe Google po zhvillon çipet dhe zgjidhjet e veta softuerike, të dizajnuara për të lehtësuar ekzekutimin e aplikacioneve bazuar në PyTorch në infrastrukturë alternative.

Lajme të ngjashme