BIA dyshohet se ka përgjuar prokurorë që hetuan tragjedinë në Novi Sad

Agjencia Serbe për Siguri dhe Informacion (BIA) ka përgjuar disa prokurorë nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar (TOK) dhe ka ndjekur komunikimin e tyre elektronik, njoftoi portali serb „Radar“.
Sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga media, arsyeja kryesore për mbikëqyrjen e fshehtë ishte hetimi për korrupsion gjatë rindërtimit të hekurudhës Beograd – kufiri me Hungarinë, si dhe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku gjatë rrënimit të çatisë humbën jetën 16 persona.
„Në këtë mënyrë BIA merrte informacione për atë që bënin prokurorët në rastin ‘Çatia’, por jo vetëm kaq. Ata përgjoheshin edhe prokurorët e tjerë që qëndronin në të njëjtat ambiente me ata që ishin nën mbikëqyrje. Kështu u përgjua edhe shefi i TOK, prokurori Mladen Nenadić, i cili komunikon çdo ditë me të gjithë prokurorët e kësaj prokurorie. Ata dinin për çdo hap të TOK dhe çfarë planifikonin në të gjitha rastet“, deklaroi për „Radar“ një burim që kërkoi anonimitet për arsye sigurie.
Masa për mbikëqyrje të fshehtë ndaj prokurorëve formalish ishin vendosur për shkak të dyshimeve për spiunazh. Sipas të dhënave të „Radar“, ato ishin caktuar më 9 dhe 30 prill, 29 maj, 19 qershor dhe hera e fundit më 7 tetor 2026.
Sipas asaj që mësoi media, drejtori i BIA-së, Vladimir Orlić, katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare, më 29 tetor, ka iniciuar ndalimin e plotë të masave për mbikëqyrje të fshehtë.
Masa fillimisht u ndërprenë plotësisht, por më pas u rikthyen në pjesën që lidhej me ndjekjen e grupeve kriminale, që është në kompetencat e BIA-së.
Sipas informacioneve të publikuara nga „Radar“, ndjekja e prokurorëve ka vazhduar deri më 29 tetor.



