Gjashtë shoferë arrestohen për drejtim të pakujdesshëm, tre prej tyre nuk kishin patentë shoferi

Gjashtë shoferë janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në vende të ndryshme nëpër shtet për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik", njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Tre nga të arrestuarit drejtonin mjete pa kaluar provimin e patentës së shoferit. Bëhet fjalë për B.M. (34) nga Batinci i Shkupit, një 16-vjeçar nga fshati Morani dhe F.K. (32) nga Golemo Konjari i Prilepit, i cili njëkohësisht ishte edhe nën ndikimin e alkoolit.
Nën ndikimin e alkoolit u kap edhe S.A. (53) nga fshati Grad i Delçevit, i cili më parë kishte shkaktuar një aksident rrugor me dëme materiale.
Nga liria u privua edhe A.A. (38) nga Prilepi, i cili drejtonte mjet pavarësisht ndalimit aktiv për drejtimin e mjeteve motorike, dhe gjithashtu ishte nën ndikimin e alkoolit.
M.E. (66) nga Tetova u arrestua pasi drejtonte automjet në drejtim të kundërt.
MPB njofton se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të ngrihen padi penale për personat në fjalë.
Ministria apelon tek qytetarët që të respektojnë rregullat dhe ligjet e trafikut dhe të mos drejtojnë mjete pa patentë shoferi, nën ndikimin e alkoolit ose me ndalim të vlefshëm për drejtimin, duke theksuar se kjo sjellje rrezikon seriozisht sigurinë në trafik.



