E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Tetë të arrestuar në aksionin për operacione të syve, mes të denoncuarve edhe ish-drejtorë të FZO-së

Tetë persona janë arrestuar, ndërsa janë ngritur padi penale kundër 11 personave fizikë dhe një institucioni privat shëndetësor pas aksionit policor të sotëm për keqpërdorime financiare lidhur me operacionet e syve.

Mes të denoncuarve ka ish dhe funksionarë aktualë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, dhe sipas MPB-së, dëmi ndaj buxhetit të Fondit arrin rreth 1.7 milionë euro, ndërsa mes 3,000 dhe 4,000 pacientë janë dëmtuar nga pagesa e dyfishtë.

"Sot (29.10.2026) nga punonjësit policorë të Drejtorisë për parandalimin e krimit të organizuar dhe serioz në MPB, në koordinim me Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, është zhvilluar një aksion policor, në kuadër të hetimit për dyshime për veprime të paligjshme lidhur me operacionet e syve, ku është goditur një grup kriminal, pjesë e të cilit janë ish dhe funksionarë aktualë të Fondit për Sigurim Shëndetësor në RMV. Në kuadër të aksionit, bazuar në urdhëresa të mëparshme të Gjykatës Themelore Penale janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup dhe nga një në Tetovë dhe Kumanovë, ku janë privuar nga liria tetë persona, dhe gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar mjete monetare rreth 50,000 euro dhe telefona celularë.

Drejtoria për parandalimin e krimit të organizuar dhe serioz i ka dorëzuar Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion padi penale kundër 11 personave fizikë, prej të cilëve një shtetas shqiptar dhe një person juridik, dhe ato janë: D.D.(60) nga Shkupi, O.R.(66) nga Tetova dhe S.B.(59) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” (neni 353 paragrafi 5) lidhur me (neni 45) të Kodit Penal, R.A.(45) nga Kumanova për “moskujdesje në punë” (neni 353-v paragrafi 3) lidhur me (neni 45) të Kodit Penal, Z.A.(35) nga Shkupi për “falsifikim ose shkatërrim të librave të biznesit” (neni 280) të Kodit Penal, V.Ç. (47) nga Shkupi, S.A.(40) nga Shkupi dhe G.A.(33) nga R. Shqipëri për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” (neni 353 paragrafi 3) lidhur me (neni 45) dhe “mashtrim në shërbim” (neni 355) të Kodit Penal, C.S.(47) nga Shkupi, Zh.S.(58) nga Shkupi dhe I.P.(49) nga Shkupi për “moskujdesje në punë” (neni 353-v paragrafi 2) lidhur me (neni 45) të Kodit Penal dhe kundër institucionit privat shëndetësor nga Shkupi për “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale” (neni 273 paragrafi 12) lidhur me (neni 22 dhe neni 45) të Kodit Penal.

Sipas pretendimeve në padi, dy drejtorë të atëhershëm të FZO-së në vitin 2020, së bashku me një përfaqësues të institucionit privat shëndetësor, kanë lidhur kontratë në kundërshtim me procedurat e përcaktuara dhe aktet e brendshme të Fondit. Kryetari i Bordit Drejtues dyshohet për parregullsi gjatë miratimit të saj.

Bazuar në kontratë, përmes futjes së të dhënave të rreme në sistemin elektronik të FZO-së dhe përgatitjes së faturave me përmbajtje të rreme, institucioni shëndetësor dyshohet se ka faturuar të njëjtat shërbime si nga Fondi ashtu edhe nga pacientët. Pacientëve, përveç pjesëmarrjes ligjore, u është faturuar edhe çmim privat për operacionet, duke iu fshehur atyre se shërbimet po paguheshin edhe nga FZO-ja.

Drejtori i sektorit për kontroll dyshohet se nuk ka dorëzuar raportet për parregullsitë e konstatuara te komisioni kompetent dhe ka shtyrë kryerjen e kontrolleve të rregullta, duke shmangur kështu vendosjen e gjobave shtesë kontraktuale dhe mundësinë e ndërprerjes së kontratës. Dy drejtore të Shërbimit Rajonal Shkup dyshohen se nuk kanë ndjekur pagesën e gjobave të vendosura dhe nuk kanë informuar shërbimet kompetente, për çka pagesat ndaj institucionit kanë vazhduar pa zbritje të borxheve.

Ekzistojnë edhe dyshime se mjetet e paguara nga FZO, për të cilat personat e autorizuar në institucion kanë ditur se rrjedhin nga vepra penale, janë futur në qarkullimin financiar, janë regjistruar në llogari të ndryshme kontabël dhe janë përdorur për paga, blerje dhe pagesa të tjera.

Sipas padisë, dëmi ndaj buxhetit të FZO-së arrin në 104.818.754 denarë, ose rreth 1.7 milionë euro, për pagesa me fatura fiktive, dhe 525,000 denarë shtesë për gjoba kontraktuale të papaguara. Ekzistojnë dyshime se në periudhën nga 2022 deri në 2025 institucioni shëndetësor ka përfituar përfitim të paligjshëm prej 261.271.961 denarë, ose rreth 4.25 milionë euro. Me pagesën e dyfishtë të përshkruar, sipas padisë, janë dëmtuar mes 3,000 dhe 4,000 pacientë", thonë nga MPB-ja.

Lajme të ngjashme