Gjykatësi hodhi poshtë padinë e Trump kundër “Wall Street Journal” për 10 miliardë dollarë

Gjykatësi amerikan Darin Gails hodhi poshtë padinë që presidenti Donald Trump e ngriti kundër gazetës “Wall Street Journal”, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për një tekst të publikuar lidhur me një letër të pretenduar urimi për ditëlindje drejtuar të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein. Gjykatësi vlerësoi se argumentet në padinë ishin “kapje për halle”.
Trump vitin e kaluar paditi kompaninë amë të gazetës, “Dow Jones”, si dhe pronarin e saj Rupert Mardok, pasi “Wall Street Journal” publikoi një letër që, sipas gazetës, Trump ia kishte shkruar Epsteinit në vitin 2003, si pjesë e urimit për ditëlindjen e tij. Kjo ndodhi para se Epstein të akuzohej për krime seksuale, raportoi BBC.
Trump mohoi se e kishte shkruar ose nënshkruar letrën, në të cilën kishte tekst sugjestiv dhe një vizatim me konturet e një trupi femëror.
Gjykatësi Gails hodhi poshtë padinë, duke vlerësuar se ajo nuk plotësonte kushtet ligjore të nevojshme dhe se ishte në kundërshtim me mbrojtjen e lirisë së shtypit që garanton Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
Gails më parë kishte hedhur poshtë edhe një padi për shpifje me të cilën Trump kërkonte 20 miliardë dollarë dëmshpërblim. Ekipi i tij ligjor më pas paraqiti një padi të re, me kërkesë për 10 miliardë dollarë, të cilën gjykatësi këtë herë e hodhi poshtë me vendim përfundimtar, që do të thotë se ajo nuk mund të paraqitet përsëri.
Trump pretendonte se letra me nënshkrimin e tij, të cilën e kishte marrë dhe publikuar “Wall Street Journal”, ishte e rreme dhe se të paditurit kishin trilluar historinë për ta njollosur atë.
Sipas gazetës, letra përmbante disa rreshta me tekst të shkruar me dorë, të kornizuar me konturet e vizatuara me dorë të një gruaje të zhveshur, të vizatuara me marker të trashë.
Në urimin e pretenduar për ditëlindje drejtuar Epsteinit kishte edhe një referencë humoristike për “enigmat që nuk plaken kurrë”, dhe letra përfundonte me fjalët: “Miqësia është një gjë e mrekullueshme. Gëzuar ditëlindjen – dhe le të jetë çdo ditë një mister edhe më i bukur”.



