E mërkurë, 4 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Reforma e ndihmës së shpejtë, rinovimi i spitaleve dhe barna të reja – Klekovski prezantoi projektet në shëndetësi

Disponueshmëri më e madhe e barnave, reformë e ndihmës së shpejtë, rinovim i spitaleve dhe shëndetësi digjitale janë pjesë e projekteve për të cilat sot në konferencë për shtyp foli ministri i shëndetësisë, Sašo Klekovski.

Ministri informoi se lista e re esenciale përfshin 392 barna, prej të cilave 193 janë të reja. Me modulues CF trajtohen 126 pacientë me fibrozë cistike, në krahasim me tre në vitin 2021. Për pacientët me sklerozë multiple janë përgatitur protokolle për terapi të shpërndarë, ndërsa nga gjithsej 835 pacientë, 491 jetojnë jashtë Shkupit. Është ç’bllokuar donacioni i faktor VIII, ndërsa për gripin sezonal janë siguruar 86.000 doza vaksine.

-Rezultatet që i prezantojmë nuk janë aktivitete të izoluara, por pjesë e një procesi më të gjerë të përmirësimit sistematik të shëndetësisë. Pas çdo shifre qëndron një ndryshim konkret, domethënë më shumë pacientë me akses në terapi dhe disponueshmëri më e mirë e shërbimeve shëndetësore, deklaroi Klekovski.

Në spitalet janë rinovuar traumatologjia në Klinikën Kirurgjike “Shën Naum Ohri” dhe neurofiziologjia në Klinikën Universitare të Neurologjisë, ndërsa në Bardovc është rinovuar “departamenti mashkullor 2”. Spitali Klinik i Bitolës merr pajisje mbi 30 milion denarë, ndërsa në Spitalin Klinik të Tetovës janë punësuar 109 kontraktues aktualë. Në spitalin “Shën Erasmo” – Ohër pritet të përfundojnë aktivitetet për një krah të ri dhe katër salla operative, ndërsa rinovimi i institucioneve psikiatrike vazhdon në Demir Hisar.

Klekovski njoftoi reformë të ndihmës së shpejtë mjekësore, që parashikon ndarjen e shërbimit nga Qendra Shëndetësore Shkup, sistem me paramedikë dhe riorganizim të Qendrës Urgjente në qendrën klinike.

-Aty ku duhet të bëjmë shumë më tepër janë radiodiagnostika, onkologjia, Qendra Klinike “Nëna Terezë” dhe sigurisht shqyrtimi i konceptit për kujdes afatgjatë, shtoi Klekovski.

Ministri foli edhe për Strategjinë e shëndetësisë digjitale deri në vitin 2030, digjitalizimin e shërbimeve.

-Jemi të vetëdijshëm se na pret ende shumë punë. Por, e rëndësishme është që proceset po ecin përpara, reformat po zbatohen, dhe rezultatet gradualisht po bëhen të dukshme. Fokusin tonë e mbajmë te pacienti dhe krijimi i një sistemi shëndetësor që do të jetë i qëndrueshëm, modern dhe i disponueshëm për të gjithë qytetarët, theksoi ministri i shëndetësisë.

Lajme të ngjashme