E mërkurë, 4 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Levica: Femicidi në Bogdancë është një dëshmi tjetër që policia nuk i mbron gratë që denoncojnë dhunën

Vajza shtatëmbëdhjetëvjeçare nga Bogdanca, e cila më parë kishte denoncuar dhunë fizike nga partneri i saj, u gjet E VRARË në një automjet të djegur. Partneri i saj dhunues 21-vjeçar, pas vrasjes, kreu vetëvrasje. Vetëm një muaj më parë, më 30 shtator, ai e kishte sulmuar fizikisht në shtëpinë e tij, dhe më 1 tetor ishte arrestuar. Sot përsëri lexojmë për një vajzë të vdekur që më parë kishte kërkuar ndihmë. Dhe nuk dimë më si ta përshkruajmë këtë katastrofë shoqërore, komenton partia politike Levica informacionet e fundit për tragjedinë në Bogdancë.

„Rosica nga Velesi kishte denoncuar kërcënime, ngacmim dhe dhunë. Vrasësi i saj mori dënim me kusht, dhe vetëm disa ditë më vonë vrau atë dhe babanë e saj. Ivana nga Taftalidze kishte vuajtur për vite me radhë dhunë fizike dhe psikologjike, dhe vetëm dy orë para vdekjes, së bashku me vajzën e saj gjashtëvjeçare Katja, përsëri iu drejtua policisë. Tankica nga Koçani, Emilija nga Shtipi, Ramajana nga Shuto Orizari. Secili nga këto raste ka emër, fytyrë, familje dhe jetë që kurrë më nuk do të kthehet. Pas secilës nga këto tragjedi qëndrojnë paralajmërime, denoncime, kërcënime dhe institucione që kishin detyrë të reagojnë.

Sa gra duhet të vriten ende? Sa vajza duhet të denoncojnë dhunën që policia, prokuroria dhe gjykatat të kuptojnë më në fund se veprimet e tyre mund të jenë ndryshimi midis jetës dhe vdekjes? Nuk mund të dëgjojmë më të njëjtat njoftime, të njëjtat shprehje ngushëllimi dhe të njëjtat premtime për përgjegjësi institucionale. Nuk mund të pranojmë që çdo viktimë tjetër të bëhet shkak për një revoltë publike disa ditore, pas së cilës gjithçka vazhdon si më parë.

Shteti nuk mund të shpallet mbrojtës i grave, duke i lënë ato vetëm përballë dhunuesve nga të cilët kanë kërkuar ndihmë. Nuk mund të bëjë thirrje për denoncim të dhunës, dhe pastaj të mos sigurojë mbrojtje reale. Nuk mund të flasë për vlera familjare, ndërkohë që në familje ndodhin rrahje, kërcënime, maltretime psikologjike dhe vrasje!

Fije e përbashkët në të gjitha këto raste është mosveprimi i policisë. Edhe pse i gjithë sistemi i mbrojtjes së viktimave është I SHKËRRMOQUR, mbrojtja fillon nga policët përgjegjës që do të veprojnë kur gruaja të denoncojë dhunën, nga një vlerësim serioz i rrezikut dhe nga një sistem që nuk do të lejojë që dhunuesi pas një nate në paraburgim të kthehet përsëri rehat në shtëpinë e viktimës së tij. Pançe Toshkovski duhet të marrë përgjegjësi për gjendjen në ministrinë e tij. Nuk mund të shohim më se si gratë në Maqedoni paguajnë me jetën e tyre për funksionimin joefikas të MPB-së!", thuhet në njoftimin e partisë.

Lajme të ngjashme