Klekovski në Kongresin e 12-të Botëror Mjekësor Turq: Sfida globale shëndetësore kërkojnë përgjigje të përbashkëta

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot u drejtua në hapjen e Kongresit të 12-të Botëror Mjekësor Turq në Stamboll. Kongresin e organizojnë Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë dhe Instituti i Shëndetit të Turqisë, nën moton „Shëndetësi inovative: sisteme shëndetësore rezistente, kundër kërcënimeve globale shëndetësore“.
Në hapje, përveç ministrit turk të Shëndetësisë, Kemal Memişoglu, u drejtuan edhe ministra të shëndetësisë nga disa vende, përfshirë Maltën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kirgistanin dhe të tjerë.
Në fjalimin e tij, ministri Klekovski i uroi popullit turk 103 vjetorin e shpalljes së Republikës së Turqisë dhe dëshiroi paqe dhe mirëqenie.
„Sfida globale shëndetësore kërkojnë përgjigje të përbashkëta. Prandaj, Maqedonia mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët që ndajnë vizionin për sisteme shëndetësore moderne, inovative dhe rezistente“, theksoi Klekovski.
Ai shtoi se transformimi digjital i shëndetësisë është një nga prioritetet e Ministrisë, ku Turqia ka përvojë të rëndësishme.
Ministri Klekovski theksoi edhe bashkëpunimin me Turqinë: „Republika e Turqisë për ne është një mik i gjatë dhe i sinqertë dhe një partner i rëndësishëm“.
Ai vuri në dukje se Turqia ka ndërtuar kapacitete të rëndësishme në prodhimin e barnave, vaksinave dhe ndihmave mjekësore dhe në teknologjitë shëndetësore. Sipas tij, ekziston hapësirë për bashkëpunim midis dy vendeve, në shëndetësinë digjitale, kërkimin, inovacionet dhe transferimin e teknologjive.
Në kuadër të vizitës, ministri Klekovski do të zhvillojë disa takime bilaterale, përfshirë edhe me ministrin e Shëndetësisë së Turqisë, Memişoglu.



