Në tryezë është propozimi që ushqimi studentor të rritet në 4.500 denarë, thonë nga VMRO-DPMNE

SDM përsëri përpiqet të fitojë pikë politike mbi shpinën e studentëve, duke harruar se pikërisht gjatë kohës së qeverisjes së tyre konviktet studentore u neglizhuan për vite me radhë, pa investime të përshtatshme dhe pa një qasje serioze ndaj zgjidhjes së problemeve, reagojnë nga VMRO-DPMNE ndaj akuzave se konvikti studentor „Stiv Naumov“ po shembet.
"Sot, kur më në fund po ndërmerren hapa konkretë për rikonstruksionin e konvikteve studentore dhe përmirësimin e standardit studentor, SDM përpiqet të krijojë një dramë politike. Në vend që të përshëndesin investimet, ata vazhdojnë me praktikën e vjetër, kritika pa përgjegjësi dhe marketing politik pa rezultate. Por, faktet flasin ndryshe. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, zhvilloi një takim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e parlamenteve studentore nga të gjitha universitetet në vend, me qëllim që të diskutohet hapur për problemet reale dhe nevojat e komunitetit akademik. Në këtë kontekst, në tryezë është edhe një propozim konkret për përmirësimin e ushqimit studentor, në vend të 3.500 denarëve aktualë, vlera e tij të rritet në 4.500 denarë përmes aplikacionit digjital M-shërbime, respektivisht me shtimin e M-Ushqimit Studentor, me zbritje shtesë prej 20 deri në 25 për qind në restorante, markete dhe objekte të tjera të gastronomisë", thonë nga VMRO-DPMNE,
Partia kujtoi se është vënë në përdorim konvikti studentor „Stiv Naumov“ me kapacitet për 1150 studentë me kushte sipas standardeve evropiane dhe thanë se deri në fund të vitit do të vihet në përdorim edhe konvikti i dytë studentor „Kuzman Josifovski-Pitu“ i cili është në fazën e rikonstruksionit.
"Gjithashtu po ndërtohet kampusi i Universitetit „Nëna Terezë“ dhe po punohet për përmirësimin e kushteve për studentët. Po ashtu me Qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE standardi studentor në vitin 2026 do të jetë dyfish më i mirë në krahasim me vitin 2022. Diferenca është e dukshme, SDM për vite me radhë la problemet të pazgjidhura, vetëm premtonin qytete studentore dhe nuk realizuan asgjë, ndërsa VMRO-DPMNE merr iniciativë, hap dialog dhe propozon zgjidhje të reja. SDM i pengon që standardi studentor më në fund po bëhet prioritet, por studentët nuk jetojnë nga konferencat e tyre për shtyp dhe konstruksionet politike. Studentët duan rezultate, investime dhe kushte më të mira, dhe pikërisht këtë e mundëson Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE", thuhet në reagim.



