Klekovski në margjinat e Komitetit Rajonal të OBSH-së: takime me ministrin e shëndetësisë së Çekisë, UNFPA dhe kandidatët për drejtor të përgjithshëm të OBSH-së

Dje, në margjinat e seancës së 76-të të Komitetit Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, ministri i shëndetësisë Sasho Klekovski zhvilloi disa takime bilaterale, përfshirë me ministrin e shëndetësisë së Çekisë, Adam Vojtjeh, ku diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimit të përvojave, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Ministri Klekovski falënderoi përkrahjen çeke në përballimin e tragjedisë në Koçan dhe paraqiti prioritetet shëndetësore.

Ministri Klekovski u takua edhe me Evis Sala, ish-ministre e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale e Shqipërisë. Në takime ministri u shoqërua nga ambasadori i Maqedonisë në Danimarkë, Z.E. Fadil Zendeli.

Ministri u takua me Florence Bauer, drejtoreshë rajonale e Fondit të OKB-së për Popullsinë (UNFPA) për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Diskutuan për bashkëpunimin në fushën e sfidave demografike me të cilat përballen vendet e rajonit.

Ministri zhvilloi takime edhe me dy nga kandidatët për drejtor të ri të përgjithshëm të OBSH-së, dr. Hans Kluge nga Belgjika, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropën dhe dr. Hanan Al-Kuwari nga Katari, ish-ministre e shëndetësisë publike e Katarit.

Ministri Klekovski theksoi prioritetet e vendit tonë dhe nevojën për mbështetje të fuqishme të OBSH-së për vendet e rajonit evropian, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.


