Hoçja: Veprimi klimatik kërkon masa konkrete, investime dhe përgjegjësi të përbashkët

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoçja, sot mori pjesë në dialogun kombëtar "Shpejtimi i veprimit klimatik: Dialog kombëtar në rrugën drejt COP31", i organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Gjatë ngjarjes u mbajt një panel diskutimi në të cilin, përveç ministrit Hoçja, morën pjesë presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan, dhe Dame Dimitrovski, këshilltar i kryeministrit për mjedisin dhe klimën. Në ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë nga fusha e ndryshimeve klimatike.
Në fjalimin e tij, Hoçja theksoi se angazhimet klimatike duhet të përkthehen në masa konkrete dhe rezultate të matshme. Ai përmendi përmirësimin e planifikimit kombëtar klimatik, përgatitjen e Ligjit për veprimin klimatik dhe forcimin e sistemit të monitorimit dhe raportimit si hapa të rëndësishëm drejt një politike më përgjegjëse dhe më efikase klimatike.
Hoçja nënvizoi se për shpejtimin e veprimit klimatik nevojiten institucione të forta, koordinim, investime dhe mbështetje ndërkombëtare adekuate.
Politika klimatike, theksoi ai, është e rëndësishme edhe për tranzicionin e gjelbër, sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
Dialogu kombëtar është pjesë e përgatitjeve të vendit për Konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike COP31, e cila do të mbahet në Antalia, Turqi, nga 9 deri më 20 nëntor 2026.



