Sonte koncert i pianistëve Daniel Gašparović dhe Dino Imeri në Salon 19:19

Sonte me fillim në orën 20:00 në Salon 19:19 (Qendra Kulturore Informative – Shkup), publiku i Shkupit do të ketë mundësinë të marrë pjesë në një koncert ku forcat i bashkojnë Daniel Gašparović (Kroaci) dhe Dino Imeri – dy pianistë të jashtëzakonshëm me renome ndërkombëtare. Artistët do të prezantojnë një program nga L. van Beethoven, B. Papandopulo, D. Imeri, M. Moškovski dhe M. Ravel duke performuar si duo katërduarësh në një piano.
Kjo paraqitje në Shkup për Imerin përfaqëson kthim në shtëpi pas sukseseve të jashtëzakonshme ndërkombëtare së fundmi në Kosovë ku performoi me Orkestrën e Prishtinës dhe Maestro Diana I. Ilkoska ku interpretuan vepra nga Mozart, Webern dhe Stravinski me pritje fantastike nga publiku dhe kritika vendase, si dhe paraqitjen në Gjermani me Würt Philharmoniker – orkestrin simfonik me renome botërore, së bashku me dirigjentin e tyre kryesor Maestro Claudio Vandelli ku në kuadër të koncertit “Tradita dhe Moderna” interpretuan katër vepra maqedonase nga kompozitorët Damir Imeri, Diana I. Ilkoska dhe Grigor Smokvarski, përveç veprave të Ravelit. Pas duartrokitjeve në këmbë, kritika gjermane publikoi se kishte dëshmuar “Mrekulli të vërteta maqedonase për veshët” (Andreas Dene nga gazeta kryesore rajonale Heilbronner Stimme), dhe me rëndësi të veçantë është që ky orkestër realizoi edhe premierën botërore të veprës “Rana” nga Diana I. Ilkoska.
“Magjistari ynë i pianinos” (OPS Magazin, Francë) sonte do të realizojë bashkëpunimin e parë me pianistën Daniel Gašparović i cili si solist dhe muzikant kamarier ka performuar në të gjithë Evropën, është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe ka qenë anëtar i shumë komisioneve prestigjioze profesionale në konkurse ndërkombëtare pianistike. Gašparović është gjithashtu drejtor artistik ekzekutiv i shtëpisë menaxhuese CristoforiumArt, dhe gjatë qëndrimit të tij në Shkup, në kuadër të ciklit të ligjëratave të hapura në Fakultetin e Arteve Muzikore, mbajti një ligjëratë falas me temë me interes të madh për studentët dhe muzikantët profesionistë: “Zhvillimi i karrierës: muzika përmes prizmit të shtëpive menaxhuese dhe organizatorëve”. Me ligjëratën dhe koncertin e mbrëmshëm përmbyllet edhe një kapitull i suksesshëm në fushën e bashkëpunimit kulturor dhe shkëmbimit të ideve dhe përvojave midis R. Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe koncerti mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RSM-së.
Hyrja në koncert është falas, dhe më shumë informacione për rezervimin e vendeve publiku mund t’i marrë në faqet zyrtare të rrjeteve sociale të pianistit Dino Imeri.



