(Video) Bill Clinton e lavdonte njeriun që u bë i pari mysliman i zgjedhur në Senatin amerikan që në vitin 2007

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton e kishte lavdëruar publikisht Abdul el Sayed që në vitin 2007, i cili pothuajse dy dekada më vonë u bë myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan. Videoja nga takimi i tyre në Universitetin e Michiganit u përhap sërish në rrjetet sociale pas fitores historike zgjedhore të El Sayed.
Në zgjedhjet e së martës, demokrati 42-vjeçar mposhti republikanin Mike Rogers në Michigan, duke fituar 52.5 për qind të votave, kundrejt 45.5 për qind për kundërshtarin e tij.
Në vitin 2007, El Sayed mbajti një fjalim në ceremoninë e diplomimit në Universitetin e Michiganit, që la një përshtypje të fortë te Clinton.
“Nuk dua ta vë në siklet folësin tuaj kryesor, por do doja që të gjithë njerëzit në botë që besojnë se jemi të destinuar për një përplasje të civilizimeve dhe nuk mund të kapërcejmë ndarjet fetare të dëgjonin fjalimin e tij sot,” tha Clinton atëherë.
“Me të vërtetë do doja që të gjithë njerëzit në botë të dëgjonin fjalimin tënd,” shtoi ish-presidenti.
El Sayed së fundmi kujtoi takimin në podcastin “The Weekly Show” të John Stewart, duke zbuluar se Clinton i ishte afruar pas ceremonisë dhe e kishte pyetur pse planifikonte të studionte mjekësi, në vend që të mendonte për një karrierë politike.
Pothuajse 20 vjet më vonë, El Sayed u bë myslimani i parë i zgjedhur në dhomën e lartë të Kongresit amerikan.
Në fjalimin e fitores, ai falënderoi votuesit dhe iu referua sulmeve ndaj emrit dhe përkatësisë së tij fetare gjatë fushatës.
“U përpoqën të na ndanin. Fillimisht nxirrnin në pah emrin dhe fenë time, sikur të donin të thoshin se jam ndryshe,” tha El Sayed, duke shtuar se Amerika është mjaft e madhe për të gjithë.
Para se të hynte në politikë, El Sayed ka punuar si mjek dhe ekspert i shëndetit publik, dhe nga viti 2015 deri në 2017 ka drejtuar departamentin e shëndetit në Detroit.



