E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

BDI: Një nga raportet më negative të Komisionit Evropian – politikat e Qeverisë e kthejnë vendin prapa

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 paraqet një nga vlerësimet më shqetësuese që Maqedonia e Veriut ka marrë në vitet e fundit. Ai tregon se vendi po humb ritmin në reformat, po mbetet gjithnjë e më shumë prapa në rrugën drejt integrimit evropian dhe përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

„Për herë të parë, problemet konkrete me zbatimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë dhe i përshtatshëm marrin një vend kaq të qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian. Kjo është pasoja më e rëndë politike e sundimit të VMRO-DPMNE-së me VLEN: çështjet e barazisë, të cilat duhej të ishin garanci institucionale të pakontestueshme, sot janë shndërruar në një shqetësim evropian. VLEN hyri në Qeveri me premtimin se do të përfaqësonte shqiptarët. Sot, pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këtë qeverisje lexohen në Bruksel. Balanceri është hequr, mekanizmi i ri për përfaqësim mbetet i pazgjidhur, ndërsa qytetarët dhe studentët shqiptarë vazhdojnë të përballen me pengesa në realizimin e të drejtave të tyre gjuhësore“, thonë nga BDI.

Partia akuzoi se nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, nuk ka përparim në lirinë e shprehjes, nuk ka përparim në prokurimet publike, as në mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetësinë.

„Një qeveri që premtoi reforma, sot prodhon stagnim në fushat bazë të shtetit. Ndërkohë, Shqipëria po përparon në negociata, Mali i Zi po afrohet drejt përfundimit të tyre, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet jashtë dinamikës së re të zgjerimit, pa hapur asnjë klaster të parë. Kjo është çmimi që qytetarët paguajnë për kursin politik të kësaj Qeverie. Maqedonia e Veriut po humb kohë të çmuar evropiane, ndërsa shqiptarët përballen sërish me sfidimin e të drejtave që i konsideronin të garantuara. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se ky raport duhet të shërbejë si alarm për ndryshim urgjent të kursit qeverisës. Barazia, funksionimi i shtetit dhe perspektiva evropiane nuk mund të jenë më viktima të këtij sundimi“, thonë nga partia.

Lajme të ngjashme