Filipçe publikoi Procesverbal nga mbledhja e Qeverisë për Alta Bankën: Kërkoj dorëheqjen e Koçovskës dhe përfshirjen e Prokurorisë Evropiane

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, publikoi Procesverbalin nga mbledhja e Qeverisë më 23 shtator 2025, në të cilin përmbahen përfundime lidhur me ofertën për marrjen e aksioneve të "Alta Banka" AD Beograd, të miratuara me propozim të ministres së financave Gordana Dimitrieska Koçoska.
Filipçe kërkoi dorëheqjen e saj, hetim urgjent nga Prokuroria Publike dhe përfshirjen e Prokurorisë Evropiane për verifikimin e rrjedhës së parave lidhur me Alta Bankën.
"Gordana Dimitrieska Koçoska të japë dorëheqje, gënjen për Alta Bankën. Prokuroria Publike menjëherë të hapë hetim edhe për Kristian Mickoskin dhe Koçovskën, të përfshihet edhe Prokuroria Evropiane për të verifikuar rrjedhën e të gjitha parave për Alta Bankën", theksoi Filipçe.
Ai potencoi se procesverbali i publikuar tregon se ministrja ishte e informuar dhe personalisht propozoi përfundimet për veprimet e institucioneve që zotëronin aksione të përfshira në ofertë.
"Jo vetëm që ishte e informuar, por Qeveria e Mickoskit pikërisht me propozim të Koçovskës mori Përfundime drejtpërdrejt të lidhura me ofertën për marrjen e aksioneve nga ana e Alta Banka AD Beograd në 16 institucione publike. Ja Procesverbali. Mbledhja e Qeverisë më 23 shtator 2025", tha kryetari i LSDM-së.
Filipçe kërkoi përgjigje nëse pas këtij veprimi qëndronte komunikim direkt me Davor Macurën dhe mundësimi që ai të fitojë paketë më të madhe aksionesh në kurriz të shtetit.
"A do të thotë kjo se ishin në komunikim direkt me Davor Macurën dhe i mundësonin të fitojë paketë më të madhe aksionesh në kurriz të shtetit? Turp jeni. Do të përgjigjeni.", tha Filipçe.



