Levica: Në kulmin e kaosit me ALTA bankën, Qeveria e DPMNE-së e ul buxhetin për inteligjencën financiare për 1.7 milionë denarë

Rasti me ALTA bankën – Bitola ka hapur pyetje serioze për efikasitetin e mbikëqyrjes financiare, njohjen në kohë të rreziqeve dhe mbrojtjen e depozitave qytetare. Ndërsa kursimtarët përballen me një akses shumë të kufizuar në mjetet e tyre, del në pah edhe një të dhënë shqetësuese nga rishikimi i fundit i Buxhetit, thonë nga Levica.
Saktësisht, siç shtohet, Qeveria e DPMNE-së po ul fondet për Drejtorinë e inteligjencës financiare nga 55.4 në 53.7 milionë denarë, pra për 1.7 milionë denarë.
„Drejtorija e inteligjencës financiare ka një rol të rëndësishëm në zbulimin e transaksioneve të dyshimta financiare, ndjekjen e keqpërdorimeve potenciale dhe shkëmbimin e informacionit me institucionet kompetente. Në një shtet ku korrupsioni prej dekadash minon institucionet, dhe dyshimet për pastrim parash, fitim të paligjshëm të pasurisë dhe keqpërdorim të fondeve publike ngarkojnë vazhdimisht opinionin publik, inteligjenca financiare përbën një nga mekanizmat kyç për zbulimin e rrjedhave të kapitalit të dyshimtë. Sidomos në Maqedoni, ku pushteti politik dhe ekonomik shpesh ndërthuren, janë të nevojshme institucione të afta të ndjekin gjurmët financiare, të njohin skemat komplekse të keqpërdorimit dhe të sigurojnë informacion për hetime në kohë. Pikërisht për këtë arsye, ulja e fondeve për këtë institucion ngre pyetje serioze për prioritetet e Qeverisë në luftën kundër krimit.
Është e rëndësishme të përcaktohet nëse në rastin e ALTA-s kanë ekzistuar paralajmërime paraprake, transaksione të dyshimta apo informacione që duhej të nxisnin një reagim institucional. Sidomos duke pasur parasysh se banka serbe ALTA e mori bankën e Bitolës me pëlqimin e institucioneve kompetente maqedonase, ndërsa pak më shumë se një vit më vonë mbeti pa leje për të punuar në Serbi. Kjo linjë kohore kërkon një verifikim të detajuar të vlerësimeve mbi bazën e të cilave u miratua marrja, si dhe të informacionit që rregullatorët kanë pasur ndërkohë. Publiku meriton përgjigje konkrete për mënyrën se si janë ndjekur rreziqet, në vend që e gjithë pasiguria të kalojë mbi qytetarët.
Levica kërkon përgjegjësi të plotë për marrjen dhe mbikëqyrjen e ALTA bankës, shpjegim të qartë për kufizimet e depozitave dhe sqarim nga Qeveria për uljen e fondeve për inteligjencën financiare. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si mbrohen paratë e tyre, cilat rreziqe janë identifikuar dhe çfarë masash do të merren në të ardhmen“, shtohet në njoftim.



