Turqia planifikon një central të ri bërthamor, Koreja e Jugut dëshiron të marrë pjesë në ndërtim

Koreja e Jugut dhe Turqia sot nënshkruan një marrëveshje për shqyrtimin e mundësive për financimin e projekteve energjetike në Turqi, ndërsa Seuli synon të marrë pjesë në ndërtimin e centralit të dytë bërthamor turk, i planifikuar në Sinop, në bregun e Detit të Zi, raporton "Euronews".
Marrëveshjen e nënshkruan Banka e Eksport-Importit të Koresë së Jugut dhe kompania shtetërore turke "Turki Nuklear Enerji", pas takimit të presidentit jugkorean Lee Jae-myung dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Seul.
Të dy institucionet do të shqyrtojnë mundësitë e financimit dhe do të formojnë një grup pune për shkëmbimin e informacionit. Deri tani nuk është bërë e ditur për sa shumë bëhet fjalë.
Turqia ende nuk ka zgjedhur partner për ndërtimin e centralit bërthamor. Erdogan konfirmoi se Koreja e Jugut është një nga partnerët e mundshëm dhe se me kompaninë shtetërore jugkoreane të energjisë elektrike KEPCO janë kryer tashmë studime fillestare të fizibilitetit.
Përveç energjisë bërthamore, të dy presidentët kanë rënë dakord për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, burimet e rinovueshme të energjisë, hidrogjenin dhe mineralet kritike të papërpunuara.
Gjithashtu kanë diskutuar për rritjen e shkëmbimit tregtar dypalësh në 15 miliardë dollarë, pasi vitin e kaluar ai kaloi 11 miliardë dollarë.



