E martë, 3 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ukraina dëshiron në BE, por refuzon kufizime të përhershme për eksportin e produkteve bujqësore

Ukraina është e gatshme të pranojë kufizime të përkohshme për produktet e saj bujqësore pas hyrjes në Bashkimin Evropian, por kundërshton përjashtimin e përhershëm nga tregu unik evropian, tha kryeministri ukrainas Serhij Korecki për "Euronews".

Deklarata e tij vjen pasi Komisioni Evropian muajin e kaluar, nën presionin e disa vendeve anëtare, propozoi që disa produkte bujqësore ukrainase, përfshirë grurin dhe drithërat e tjera, të mbeten të përjashtuara nga tregu i BE-së edhe pas anëtarësimit të plotë të Ukrainës.

"Ne e kuptojmë shqetësimin e bujqve evropianë dhe jemi të gatshëm për një bisedë të hapur dhe praktike. Masat kalimtare mund të jenë pjesë e procesit të zgjerimit, por duhet të lidhen me rreziqe konkrete dhe të kenë kushte të qarta për rishikim dhe heqje", tha Korecki.

Ai theksoi se kufizimet nuk duhet të bëhen të përhershme, veçanërisht sepse bujqit ukrainas do të duhet të investojnë shuma të konsiderueshme për t'u përshtatur me standardet e BE-së, ndërsa njëkohësisht po rimëkëmben nga pasojat e sulmeve ruse.

Korecki njoftoi se qëllimi i Kievit është që deri në fund të këtij viti të hapë të gjitha kapitujt e mbetur të negociatave, duke krijuar kushtet që disa prej tyre të mbyllen gjatë presidencës lituaneze të Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2027.

Lajme të ngjashme