E martë, 3 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Në Francë një fëmijë 20-mujor ka vdekur nga uria, nëna nuk e dëgjoi mjekun

Në Francë ka filluar gjykimi i prindërve të akuzuar për neglizhencë që çoi në vdekjen e djalit të tyre 20-mujor. I vogli Malik vdiq më 19 prill 2019 në Savigni le Temple, dhe në momentin e vdekjes peshonte vetëm katër kilogramë, megjithëse pesha mesatare për atë moshë është midis 10 dhe 12 kilogramëve, shkruan "Le Parisien".

Prindërit, Noemi dhe Ali, po gjykohen nga 30 tetori në Melun nën akuzën për privim nga kujdesi ose ushqimi që shkaktoi vdekjen e një fëmije.

Kontrolli i fundit mjekësor i Malik ishte në moshën 11-mujore, kur pediatri paralajmëroi nënën se humbja e peshës ishte shqetësuese dhe se fëmija duhej urgjentisht të hospitalizohej. Megjithatë, ajo kurrë nuk e çoi në spital.

Gjatë gjykimit, babai pranoi se nuk ishte mjaftueshëm i përfshirë në kujdesin për fëmijën dhe se mbështetej në informacionet nga bashkëshortja, e cila e kishte bindur se gjithçka ishte në rregull.

"Çështja e kësaj neglizhence do të më ndjekë gjithë jetën", deklaroi Ali.

Gjyqtari e pyeti se si nuk kishte vënë re që fëmija ishte në gjendje kritike dhe pse nuk kërkoi ndihmë mjekësore.

"Çfarë duhej të ndodhte që ta çonit në spital? Fëmija nuk ha mjaftueshëm, nuk është mirë. Peshon vetëm katër kilogramë!", pyeti gjyqtari.

Gjatë gjykimit u theksua se nëna jetonte në izolim familjar dhe kishte frikë nga reagimet e bashkëshortit. Vlerësimi psikiatrik tregoi se ajo kishte vetëbesim të ulët dhe ndjenjë vetmie.

Sipas vlerësimit, izolimi familjar mund të ndihmojë në shpjegimin e rrethanave që çuan në tragjedi, por nuk e zvogëlon përgjegjësinë e prindërve.

Lajme të ngjashme