E mërkurë, 4 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Shkatërrohet rrjeti ndërkombëtar për mashtrime në internet me vlerë mbi katër milionë euro, të dyshuar edhe në Maqedoni

Në një operacion ndërkombëtar policor, në të cilin morën pjesë edhe organet kompetente maqedonase, u shkatërrua një rrjet kriminal i dyshuar për mashtrime investimi përmes internetit. U arrestuan shtatë persona, u kryen bastisje në 17 lokacione dhe u sekuestruan më shumë se 100 servera. Dëmi financiar i konfirmuar deri tani tejkalon katër milionë euro, ndërsa viktimat potenciale janë identifikuar në të paktën 50 vende, njoftoi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Operacioni u zhvillua me mbështetjen dhe koordinimin e Europolit dhe Eurojust, në bashkëpunim me organet kompetente të Gjermanisë, Qipros, Finlandës, Shqipërisë, Izraelit, Kosovës dhe Maqedonisë.

Sipas njoftimit të Eurojust, mashtruesit përdornin platforma interneti për tregtim që dukeshin legjitime dhe u premtonin qytetarëve fitime të mëdha në një periudhë të shkurtër përmes investimeve në kriptovaluta, valuta të huaja dhe aksione.

Pas investimit të një shume të vogël parash nga viktimat, në platformat u shfaqeshin fitime të rreme të rritura për t’i bindur ata të investonin më shumë. Më pas, brokerët e dyshuar ushtronin presion psikologjik mbi ta për të depozituar shuma më të mëdha. Kur viktimat kërkonin të tërhiqnin paratë, mashtruesit përdornin justifikime të ndryshme për të shtyrë pagesën, pas së cilës zhdukeshin.

Hetimi nisi në vitin 2022, pasi një çift nga Gjermania raportoi se kishte investuar kursimet e tyre përmes një platforme interneti, por nuk mundi të tërhiqte fitimet.

Në aksionet ndërkombëtare të mëparshme, të zhvilluara në vitet 2022 dhe 2025, u arrestuan persona të dyshuar dhe u sekuestruan prova që mundësuan vazhdimin e hetimit.

Analiza e provave çoi në zbulimin e një kompanie me seli në Qipro dhe Izrael, për të cilën ekziston dyshimi se u siguronte grupeve të ndryshme kriminale faqe interneti të rreme për kryerjen e mashtrimeve.

Në mesin e klientëve të dyshuar të kompanisë u identifikuan persona në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, për të cilët dyshohet se menaxhonin qendra telefonike mashtruese.

Në operacionin e fundit u bastisën 17 lokacione, përfshirë një qendër telefonike në Kosovë. U sekuestruan më shumë se 100 servera, prova elektronike dhe mjete të tjera të lidhura me aktivitetet kriminale. Shtatë të dyshuarit u arrestuan për dorëzim ose ekstradim në Gjermani.

Nga ana maqedonase në aksion morën pjesë Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Departamenti për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Zyrës për Sigurinë Publike.

Lajme të ngjashme