E premte, 30 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Milani dhe Interi morën 650 milionë euro të pabesueshme për stadiumin e ri

Milani dhe Interi prezantuan projektin për një stadium të ri që do të zëvendësojë legjendarin San Siro, dhe në të njëjtën kohë ranë dakord për një nga marrëveshjet më të mëdha të sponsorizimit në historinë e sportit.

Stadiumi i ri do të quhet "Generali Stadium", dhe kompania italiane e sigurimeve do të paguajë deri në 650 milionë euro për të drejtën e emrit të tij gjatë 20 viteve, zbulon ESPN duke iu referuar burimeve të njohura me marrëveshjen.

Kjo do të thotë se gjigantët e Milanos do të fitojnë mesatarisht 32.5 milionë euro në vit vetëm nga shitja e të drejtave të emrit të stadiumit të ri. Klubet nuk kanë publikuar zyrtarisht detajet financiare të marrëveshjes, por kanë konfirmuar bashkëpunimin me "Generali", të cilën e përshkruan si një nga marrëveshjet më të mëdha për të drejtat e emërtimit të stadiumeve në sportin botëror.

ESPN e krahason këtë marrëveshje me një marrëveshje të lidhur në nëntor 2021, kur Crypto.com bleu të drejtat e emrit të një salle sportive në Los Anxhelos, e njohur si "Staples Center", për rreth 700 milionë dollarë gjatë 20 viteve.

Në kohën e lidhjes së saj, kjo marrëveshje konsiderohej si marrëveshja më e madhe për shitjen e të drejtave të emrit të një objekti sportiv në histori.

Së bashku me të drejtën e emrit të stadiumit, "Generali" do të bëhet edhe partneri zyrtar i sigurimeve i Milanit dhe Interit. Projekti për stadiumin e ri është mbështetur financiarisht nga pronarët e të dy klubeve, "RedBird Capital Partners", që menaxhon Milanin, dhe "Oaktree", pronari i Interit.
Stadiumi i ri "Generali" do të ketë kapacitet rreth 71,500 spektatorë dhe është dizajnuar nga studiot arkitekturore "Foster + Partners" dhe "Manica", të udhëhequra nga Norman Foster dhe David Manica. Bëhet fjalë për arkitektë që më parë kanë bashkëpunuar në projektin "London Wembley".

Stadiumi do të ketë dy nivele tribunash që do të rrethojnë plotësisht fushën. Vëmendje e veçantë i është kushtuar tribunave pas portave, të cilat do të jenë të formuara si njësi të pjerrëta dhe të pandërprera me një pjerrësi deri në 37 gradë, në mënyrë që tifozët të jenë sa më afër fushës.

Fasada e jashtme e stadiumit është frymëzuar nga arkitektura e Milanos, veçanërisht nga katedralja e njohur e qytetit. Projekti përfshin një konstruksion të dallueshëm në formë të shkronjës X, një çati të dyfishtë të harkuar dhe zgjidhje moderne energjetike.

Së bashku me stadiumin, është planifikuar edhe rinovimi i zonës më të gjerë urbane prej 281,000 metrash katrorë, me hapësira publike, zona të gjelbra, dyqane, objekte gastronomike dhe argëtuese.

Ngritja e stadiumit të ri pritet të fillojë në vitin 2028, ndërsa ndeshja e parë është caktuar për sezonin 2031/32. Realizimi i projektit ende varet nga lejet e nevojshme. Vitin e kaluar, Milani dhe Interi blenë tokë nga qyteti për rreth 197 milionë euro, çka hapi rrugën për ndërtimin e objektit të ri dhe rrënimin e San Siros së vjetër.

Foto/ AC Milan

Lajme të ngjashme