Mijëra të rinj protestuan në Danimarkë, kundërshtojnë uljen e ndihmës financiare

Mijëra nxënës dhe studentë danezë dolën sot në rrugët e Kopenhagenit për të protestuar kundër planit qeveritar për uljen e subvencioneve shtetërore për arsimin. Qeveria dëshiron të heqë ose të ulë ndihmën financiare për nxënësit dhe studentët të cilëve prindërit u kanë të ardhura mesatare ose të larta, ndërsa paratë e kursyera do t9i ridrejtohen mbrojtjes, shkruan Euronews.
Protesta u organizua nga dhjetë shoqata nxënësish dhe studentësh. Turma marshoi nga sheshi para Këshillit të Qytetit në Kopenhagen drejt parlamentit, duke mbajtur një transparencë të madhe me mesazhin "Mjaft është". Nën mbikëqyrjen e policisë, ata brohoritën parulla si: "Më pak mbështetje, më pak arsim", "Premtime të thyer" dhe "Mos i mashtroni të rinjtë".
Sipas të dhënave në dispozicion, rreth 40,000 nxënës dhe studentë u përfshinë në grevë në 57 shkolla në të gjithë Danimarkën, ndërsa midis 12,000 dhe 13,000 të rinj iu bashkuan protestës. Protesta kaloi paqësisht.
Me këtë, nxënësit dhe studentët danezë iu bashkuan valës së protestave rinore që në javët e fundit janë përhapur nga Franca në vende të tjera evropiane.
Danimarka njihet për sistemin e saj të ndihmës shtetërore për arsimin, i cili u siguron mbështetje financiare nxënësve dhe studentëve, pavarësisht të ardhurave të prindërve të tyre.
"Në Danimarkë marrim fonde shtetërore dhe mbështetje financiare për arsimin dhe jemi shumë krenarë për këtë", deklaroi Oskar Tensberg Hofman, kryetar i Shoqatës Daneze të Nxënësve të Shkollave të Mesme dhe një nga organizatorët e protestës.
Ai paralajmëroi se do të ishte gabim të minohej një nga sistemet më të forta arsimore në botë.
Sipas propozimit për buxhetin shtetëror, qeveria daneze e qendrës së majtë dëshiron të heqë mbështetjen financiare shtetërore për arsimin e nxënësve dhe studentëve që jetojnë me prindërit e tyre, nëse të ardhurat vjetore totale të prindërve të tyre tejkalojnë 700,000 krona daneze, që është rreth 94,000 euro.
Gjithashtu, do të ulen subvencionet për ata prindër që fitojnë midis 419,589 kronave (rreth 56,138 euro) dhe 700,000 kronave (rreth 94,000 euro).
Sipas vlerësimeve të Ministrisë daneze të Arsimit të Lartë, ndryshimet e propozuara do të nënkuptonin heqjen e plotë të mbështetjes për rreth 14,000 nxënës dhe studentë, ndërsa rreth 8,000 të tjerë do të merrnin shuma më të ulëta.
Kjo sistem ekziston që nga viti 1970 dhe konsiderohet një nga shtyllat e sistemit arsimor danez, pasi u mundëson të rinjve të arsimohen pavarësisht nga mundësitë financiare të familjeve të tyre.
Derisa tani, të gjithë nxënësit dhe studentët mbi 18 vjeç kishin të drejtë për mbështetje.
Aktualisht, ata që jetojnë me prindërit e tyre marrin 1,154 krona daneze në muaj, që është rreth 154 euro. Ata që jetojnë vetë marrin 7,426 krona, që është afërsisht 993 euro në muaj.
Foto/EPA



