Vajc i bëri thirrje Kosit të ndihmojë në tejkalimin e mosmarrëveshjes mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Vajc, i bëri thirrje komisioneres për zgjerim Marta Kos të bëjë përpjekje diplomatike për tejkalimin e mosmarrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, duke vlerësuar se dialogu i drejtpërdrejtë mes dy qeverive është mënyra e vetme për të dalë nga ngërçi.
Në seancën e sotme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku Kos prezantoi Paketën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2026, Vajc theksoi se çështjet bilaterale nuk duhet të pengojnë procesin e anëtarësimit.
Si shembull pozitiv ai përmendi Kroacinë dhe Malin e Zi, kryeministrat e të cilave diskutojnë për çështjet bilaterale të hapura dhe kërkojnë zgjidhje.
"Disa nga çështjet bilaterale tani janë në nivel evropian, bëhet fjalë për përfshirjen e pakicave, dhe në këtë drejtim duhet të realizohen ndryshimet kushtetuese. Por, përsëris, mënyra e vetme për të dalë nga ky ngërç është që palët të bisedojnë me njëra-tjetrën, domethënë qeveritë e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të ulen dhe të bisedojnë", tha Vajc.
Ai i bëri thirrje Kosit të angazhohet diplomatikisht, duke theksuar se motivimi për biseda mes dy palëve nuk është gjithmonë në nivelin më të lartë.
Komisionerja, nga ana tjetër, përsëriti se Komisioni Evropian është i gatshëm të hapë klasterin e parë negociues me Maqedoninë e Veriut menjëherë pas përmbushjes së kushteve, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese të parashikuara me përfundimet e Këshillit më 18 korrik 2022.
"Tani kjo varet nga Maqedonia e Veriut", tha Kos.
Në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026 konstatohet se nuk janë bërë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat mbeten kusht për përparim të mëtejshëm në procesin e eurointegrimit.



