Merç: Rusia duhet të tregojë se është serioze në negociatat për armëpushim në Ukrainë

Kancelari gjerman Friedrich Merç deklaroi se Rusia duhet të tregojë gatishmëri serioze për armëpushim dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje në negociatat e ardhshme në Abu Dabi, të cilat do të mbahen më 10 dhe 11 nëntor.
Pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin, Merç vlerësoi se raundi i ri i negociatave midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë është një hap në drejtimin e duhur, por theksoi se Europa duhet të përfshihet në proces.
"Është e rëndësishme që Rusia të përfshihet më në fund në negociata serioze për armëpushim dhe një marrëveshje paqeje pasuese. Deri tani nuk kam parë asnjë shenjë për këtë", deklaroi Merç.
Sipas Zelenskyt, në negociatat e para direkte midis Ukrainës dhe Rusisë që nga shkurti do të diskutohet për garanci sigurie, ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe armëpushim në Detin e Zi për të siguruar eksportin e ushqimit.
Merç theksoi se çdo marrëveshje paqeje afatgjatë duhet të përfshijë vendet evropiane dhe se është e papranueshme që për të ardhmen e Ukrainës të vendoset pa pjesëmarrjen e saj.
Ai konfirmoi se Gjermania do të vazhdojë të sigurojë ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa Zelensky shprehu shpresën se negociatat e ardhshme me ndërmjetësim amerikan do të çojnë në një takim të tij me presidentin rus Vladimir Putin.



