E martë, 3 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ukraina, Rusia dhe SHBA vazhdojnë me negociatat paqësore; janë caktuar data dhe vendndodhja

Shtetet e Bashkuara konfirmuan se një raund i ri i negociatave paqësore mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së do të mbahet më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Siç raporton Reuters, datat konkrete për takimin i bëri të ditura i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff.

Kjo përbën një përpjekje të re të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të nisur negociata të synuara drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, pas një ngërçi disa mujor. Bisedimet e fundit trilaterale, me ndërmjetësimin e SHBA-së, u mbajtën në shkurt.

Pritet që në këtë raund të ri bisedimesh të marrin pjesë përfaqësues nga tre vendet. Delegacionin amerikan do ta udhëheqin Witkoff dhe Jared Kushner – dhëndri i Trumpit dhe një nga negociatorët e tij kryesorë.

Bisedimet u paralajmëruan që në tetor, dhe tani janë konfirmuar edhe datat.
Për mundësinë e negociatave të reja u diskutua për herë të parë më 21 tetor, kur Witkoff u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Petersburg.

Pas atij takimi, ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov, deklaroi se Moska është, në parim, e gatshme të vazhdojë bisedimet trilaterale gjatë nëntorit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski gjithashtu shprehu mbështetje për iniciativën amerikane. Dy ditë më vonë, më 23 tetor, ai njoftoi se është arritur marrëveshje për mbajtjen e negociatave – me pjesëmarrjen e ekipeve përkatëse negociuese – në Abu Dabi, gjatë gjysmës së parë të nëntorit.

"Plani është të takohemi në gjysmën e parë të nëntorit, dhe sa më shpejt të jetë e mundur, natyrisht", deklaroi atëherë Zelenski, duke shtuar se pas bisedimeve mes delegacioneve, do të dëshironte të shihte edhe një takim mes kreut të shteteve.

Sidoqoftë, data ende nuk ishte përcaktuar. Më 28 tetor, pala ruse paralajmëroi se mbajtja e negociatave do të varet nga situata në fushën e betejës, si dhe nga konflikti në Lindjen e Mesme.

Prandaj, konfirmimi më i fundit nga SHBA-ja është i rëndësishëm, pasi për herë të parë përmenden data konkrete për takimin.

Amerikanët do të mbajnë bisedime paraprake me evropianët.
Sipas Reuters, pritet që negociatorët amerikanë në Bruksel – para bisedimeve në Abu Dabi – të takohen me përfaqësues nga Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe NATO.

Vendet evropiane nuk do të marrin pjesë drejtpërdrejt në negociatat trilaterale, në të cilat janë përfshirë Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja. Kremlini më parë deklaroi se përfshirja e përfaqësuesve evropianë në këto biseda nuk ishte dakorduar.

Ukraina insiston në garanci të forta sigurie, të dizajnuara për të parandaluar çdo agresion të ardhshëm rus pas një marrëveshjeje paqeje eventuale. Zelenski më parë deklaroi se çdo marrëveshje e tillë duhet të përfshijë edhe financimin e ushtrisë ukrainase për një periudhë të paktën dhjetëvjeçare.

Lajme të ngjashme