Peskov: Pjesëmarrja e vendeve evropiane në negociatat për Ukrainën nuk është shqyrtuar

Mundësia që vendet evropiane të marrin pjesë në negociatat trilaterale midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës nuk është shqyrtuar me asnjë nga palët, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Kështu u përgjigj në një pyetje gazetareske për shkrimin e gazetës britanike "Financial Times", sipas të cilit Uashingtoni po shqyrton përfshirjen e përfaqësuesve të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë në bisedimet për ndërprerjen e konfliktit në Ukrainë.
"Jo, kjo nuk është diskutuar me askënd. Ndoshta është diskutuar në redaksinë e "Financial Times", tha Peskov, transmeton RIA Novosti.
Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Kremlinit theksoi se presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për kontakte me të gjithë liderët me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin ukrainas.
"Nëse arsyeja ende mbizotëron në Evropë, numri i politikanëve që kontaktojnë me Rusinë do të rritet. Nëse jo, atëherë nuk do të rritet", tha Peskov.
Ai shtoi se një rritje eventuale e numrit të politikanëve evropianë që mbajnë kontakte me Moskën nuk do të ndikojë në rrjedhën e negociatave trilaterale.
Presidenti rus Vladimir Putin më parë, gjatë takimit me përfaqësuesin special të presidentit amerikan, Steve Witkoff, konfirmoi gatishmërinë e Moskës për vazhdimin e bisedimeve trilaterale për Ukrainën.
Ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, deklaroi se një raund i ri negociatash mund të mbahet në Abu Dabi gjatë gjysmës së parë të nëntorit.



